Protestat e jelekëverdhëve në Francë janë në javën e 13, por janë po aq të dhunshme sa në ditën e parë. Dhuna këtë fundjavë u zhvendos përpara Parlamentit. Qindra protestues u përleshën ashpër me policinë, gjatë tentativave për të pushtuar Asamblenë Kombëtare.

Policia përdori granatat shokuese për të larguar protestuesit. Një protestues 21-vjeçar humbi njërën nga duart, pasi granata i shpërtheu në dorë.

Mbi 30 protestues u arrestuan. Dhunës dhe shkatërrimit nuk i shpëtuan automjete luksoze të parkuara pranë parlamentit.

Ndërsa në Lion, jelekëverdhët u përplasën me një grup radikalësh të djathtë. Përplasja u përshkrua nga dëshmitarët që xhiruan pamjet, si luftë civile.

Dhunën këtë javë e shkaktoi një ligj i miratuar në parlament kundër huliganizmit gjatë protestave që ndalon manifestuesit të mbulojnë fytyrat, çka prek drejtpërdrejtë jelekëverdhët. Protesta e tyre ka shkaktuar tensione diplomatike mes Francës dhe Italisë.

Zv/kryeministri italian Di Maio ka lidhur aleancë me jelekëverdhët francezë, me të cilët synon krijimin e një koalicioni në Parlamentin Europian, pas zgjedhjeve të Majit.

Tv Klan