Taksa shtesë për karburantet në Francë nuk do të rritet gjatë 2019-ës. Qeveria shtyu me 1 vit planin e saj nga 6 muaj që premtoi fillimisht. Por kjo nuk i kënaqi “Jelekëverdhët”, të cilët nuk do t’i ndalin protestat. Ata po planifikojnë të shtunën një tubim edhe më të madh se ai i javës së kaluar, që qendrës së Parisit i dha pamjen e një arene lufte.

I vënë me shpatulla pas muri edhe nga presioni i opozitës me kërkesën për mocion mosbesimi javën e ardhshme, kryeministri Eduard Filip u bëri thirrje palëve politike të dialogojnë për të mos e zhytur edhe më tej vendin në kaos.

“Dua të rithekson angazhimin tonë për të garantuar sigurinë dhe apeloj për qetësi. U bëj thirrje të gjitha palëve, brenda dhe jashtë kësaj salle të ulen në tryezën e dialogut për të gjetur zgjidhjen.”

“Jelekëverdhët” janë të pakënaqur me këtë lëshim të qeverisë pasi kërkojnë reduktim të mëtejshëm të taksës që vetëm gjatë këtij viti e ka rritur me 23% çmimin e naftës.

Protestuesit akuzojnë Presidentin Macron se me reformat e tij financiare ua ka bërë kostot e jetesës të papërballueshme. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e aktivizimit të ushtrisë.

Tv Klan