Rrëfimi i Klajdës për jetën e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, “Ka Një Mesazh Për Ty” pati kontraste të forta. Nga një jetë në gjirin familjar drejt emigracionit të vështirë në Itali, varfërisë, mbetjes nën qiell të hapur me bashkëshortin. Jetonin në park e ushqeheshin me ç’të gjenin ndërsa prisnin që në jetë të vinte fëmija i parë.

Më tej, djali u sëmur, bashkëshorti humbi jetën nga një aksident tragjik pak pas lindjes së vajzës ndërsa Klajda mbeti e vetme. Në asnjë moment ajo nuk  mendonte të kthehej sepse familja ishte në vështirësi të madhe e nuk dëshironte t’i rëndonte më shumë.

Klajda ia doli mbanë, edhe me ndihmën e Klaudios që u shfaq papritur në jetën e saj e u kthye në mbështetjen e madhe. Sot jeta e saj ka ndryshuar, por ndien se u detyrohet prindërve më shumë se kujtdo tjetër. Ata i dhanë gjithçka mundën pa përllogaritur asgjë, duke sakrifikuar për të dhe për djemtë.

Klajda: Yjet e mi, engjëjt e mi!

Flora: Shpirti im!

Klajda: Nuk kisha rrugë tjetër dhe më të rëndësishme dhe më me vlerë se sa t’ju ftoja këtu për t’ju falenderuar gjithë jetën për sakrificat që keni bërë për mua, për vëllezërit e mi, për fëmijët e mi dhe për fatin që kemi që ju kemi prindër juve.

Flora & Asllan: Faleminderit! të na rrosh ti!

Klajda: Ju jeni forca ime, jeni zemra ime, jeni dashuria më e madhe që unë kam edhe sipër fëmijëve të mi. Unë nuk mund të arrija më lart se deri këtu për t’ju shprehur sa të rëndësishëm jeni dhe sa ju dua unë juve.

Flora: Ti je prej çeliku të keqen mami, je shumë e fortë. Zoti të ka bërë të fortë që t’i dha ato lloj vuajtjesh.

Asllan: Unë dhe mami vetëm për ju mendojmë, për ty, për fëmijët e tu, për binjakët, për çunat. Ne japim shpirtin, jetën, gjakun për ju.

Klajda: Unë prandaj jam këtu, edhe në emër të vëllezërve të mi që nuk mundën të vinin, t’ju falenderojmë me gjithë shpirt si çdo prind tjetër shqiptar që bën sakrifica për të rritur fëmijët e tyre, edhe ju jeni të atillë./tvklan.al