Specialja i konfirmon aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen si President i Kosovës. Në një deklaratë për mediat Thaçi njoftoi se Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetentë zyrtarisht që gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë Presidenti i Republikës së Kosovë, prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi në një konferencë për mediat në Prishtinë.

“Janë këto momente jo të lehta për mua, për familjen dhe për ju që më keni mbështetur dhe besuar për këto tri dekada gjatë përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë, duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit tonë, ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada”, tha Thaçi.

Thaçi u shpreh krenar që kishte qenë pjesë e UÇK-së dhe theksoi se asnjë pretendim nuk mund të rishohë apo të rishkruajë historinë e Kosovës.

“Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Jam krenar që  bashkë me aleatët tanë, me NATO-n, kemi luftuar regjimin gjenocedial të Millosheviçit dhe jam krenar që bashkërisht e kemi fituar lirinë. Asnjë pretendim nuk mund të rishohë apo të rishkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima, Serbia ka qenë agresori. Kjo situatë është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Ju lus për qetësi dhe unitet e bashkim. Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që e garanton suksesin tonë”.

Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të dalim faqebardhë”, shtoi ai.

Më 24 Qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 Prill i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Në Korrik, Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku foli për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.

Basha: Aktakuzat ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të pabaza

Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi pas konfirmimit të aktakuzave për krime lufte nda Dhomata e Specializuara në Hagë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

Kryedemokrati shprehet i bindur se Presidenti Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të trjerë të UÇK-së do t’i faktojnë drejtësisë se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.

“Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza. Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës. Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryheshin krimet më çnjerëzore”, shkruan Basha në rrjetet sociale.

Ai shton se asnjë shqiptar i Kosovës nuk është fshehur nga drejtësia.

“Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri”, shkruan Basha. 

Rama: Thaçi ka mbështetjen e të gjithë Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe largimit të tij nga posti i Presidentit të Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai shkruan se procesi ndaj Thaçit është absurd, por që do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së. Megjithatë, kreu i qeverisë shprehet se Thaçi ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e Shqipërisë.

Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj“, shkruan Rama.

Limaj pas aktakuzave të Thaçit e Veselit: Vetëm të bashkuar përballemi me dinjitet ndaj sfidave

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka reaguar pasi presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit iu janë konfirmuar aktakuzat nga Gjykata Speciale. Limaj i ka quajtur padrejtësi këto veprime ndaj tyre, mirëpo ka kërkuar që të tregohet lidership në këto rrethana të këqija.

“Përkundër vuajtjeve individuale dhe familjare që kanë ngërthyer në vetvete këto procese, unë kam besimin e plotë se bashkëluftëtari im, presidenti i vendit z. Hashim Thaçi dhe të gjithë të akuzuarit tjerë, luftën e UÇK-së do ta mbrojnë në mënyrë dinjitoze dhe në fund do të dalin faqebardhë nga ky proces”, ka shkruar Limaj.

“Sado të rënda të jenë padrejtësitë kundër fateve individuale dhe kolektive që janë bërë dhe po bëhen ndaj luftëtarëve të lirisë, ne duhet të tregojmë lidership të vërtetë në këto rrethana të vështira për shtetin tonë. Është moment i fundit që t’i bashkërenditim veprimet tona që të dëshmojmë se vërtet interesat e shtetit tonë i vëmë mbi interesat individuale. Bashkërenditja e politikave tona në këto momente shumë”, shton ai.

Meta reagon pas dorëheqjes së Thaçit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale pasi Hashim Thaçi u dorëhoq si President pas aktakuzave të ngritura nga Dhomat e Specializuara.

Meta vlerëson aktin e dorëheqjes së Thaçit për t’u ballafaquar me akuzat dhe thotë se beson në pafajësinë e tij dhe të luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike. Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, thotë Meta. 

Haradinaj: Bashkëluftëtarët e UÇK-së duhet të kenë përkrahje pa rezerva

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar menjëherë pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen si President i Kosovës. Haradinaj thotë se UÇK-ja ishte faktor uniteti në vitet e sakrificës dhe krenarisë për Kosovën.

Në rrethanat e reja të krijuara ai bën thirrje që të tregohet uniteti kombëtar ndërsa thotë se bashkëluftëtarët e tij si Thaçi dhe Veseli do të kenë përkrahjen e popullit dhe të qeverisë pa asnjë rezervë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë. Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Aktakuza ndaj Thaçit, reagon qeveria e Kosovës: Askush s’mund të gjykojë luftën tonë për liri

Menjëherë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe largimit të tij nga posti i Presidentit, ka reaguar qeveria e Kosovës. Në një deklaratë për mediat thuhet se qeveria e Kosovës beson thellë në luftën e UÇK dhe se askush nuk mund të gjykojë luftën e vendit për liri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”.

Më tej, qeveria kosovare shprehet se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s. Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë. Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”.

Kush do të jetë President i Kosovës pas largimit të Hashim Thaçit?

Hashim Thaçi dha dorëheqjen si President i Kosovës pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë, por kush do të ushtrojë detyrën e kryetarit të shtetit tashmë?

Do të jetë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që do të drejtojë presidencën pas dorëheqjes së Thaçit. Njohësi i Kushtetutës, Kushtrim Palushi, ka sqaruar për Klan Kosovën se kjo gjë i kalohet automatikisht kryetarit të Kuvendit pasi është e rregulluar në Kushtetutë.

Palushi është shprehur se për shkak të kësaj as partitë politike nuk mund të kenë kundërshti. Por nëse për gjashtë muaj nuk arrihet të zgjidhet një president i ri vendi duhet të shkojë në zgjedhje tha Palushi.

“Bazuar në Kushtetutën e Kosovës në rast të mungesës së presidentit, qoftë edhe në rast të mungesës së përkohshme, e zëvendëson kryetarja e Kuvendit, në këtë rast Vjosa Osmani. Por, menjëherë duhet të fillohet me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Nëse s’kemi 6 muaj president atëherë shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo procedurë është automatike që e parasheh Kushtetuta dhe kjo nuk pyet partitë politike, por është dispozitë kushtetuese”, tha ai.

Redaksia Tvklan.al 2020