Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në Lezhë për një shqetësim të qytetarit Nderim Muçaj. Ky i fundit tregon se në Gusht 2018 dha dorëheqjen nga puna e tij si inxhinier në Prefekturën e Lezhës, për një punë tjetër. Për aplikimin e ri, sipas rregullores, i nevojitet vlerësimi nga puna e mëparshme. Mirëpo, në dosjen e tij si nëpunës në Prefekturën e Lezhës, i mungon vlerësimi i 6-mujorit të fundit nga ish-Prefekti i Lezhës, Gjergj Prendi. Ky i fundit ka bërë 3 vlerësime për periudhën Janar – Qershor 2018.

Pas këmbënguljes së qytetarit Nderim Muçaj, i vihet në dispozicion një shkresë nga Prefektura e Lezhës që nuk ka vlerësim, më pas nga DAP-i që ka vlerësim të mirë dhe në Maj 2019, kur ishte ndryshuar prefekti, i vihet një vlerësim i korrigjuar, që penalizon Nderim Muçajn të konkurrojë në administratë.

Nderim Muçaj: “Kam punuar në Prefekturën Lezhë. Ka filluar punë në vitin 2011 dhe kam punuar deri në vitin 2018 kur unë kam dhënë dorëheqjen. Pasi u largova, kërkova dosjen. Dosja mungonte, vlerësimi i 6-mujorit të fundit. Këto mua më duheshin për të punuar diku tjetër. Unë e kam marrë me mund e me djersë shkollën, e kam fituar me mund e me djersë këtë status. Me këtë zhgarravinë që më ka vendosur ai në dispozicion, mua më humbet statusi. Unë nuk dua të punoj tek ky institucion, unë dua të punoj diku. Statusi im nuk vlen në këtë. Nga erdhi kjo zhgarravinë që nuk m’u vendos në dispozicion asnjëherë. Unë e kam kërkuar, pse nuk ma dhanë në Gusht dosjen? Pse nuk më është vendosur për periudhën Janar-Qershor që unë kam qenë në punë. Mua nuk më ka ndodh ndonjëherë një vlerësim keq”.

Gazetarja e emisionit “Stop” pyeti Prefektin aktual të Lezhës, Gjokë Jaku, i cili pranoi se dokumenti për vlerësimin e qytetarit Nderim Muçaj është i parregullt. Ai premtoi hetimin e dosjes së tij nga ana e një komisioni të posaçëm, për t’i dhënë përgjigje shteruese këtij problemi.

Prefekti Gjokë Jaku: “Dy momente nuk janë aspak korrekte sipas vlerësimit tim. Së pari, fakti që mungon periudha e fundit e vlerësimit dhe që ky vlerësim nuk i është bërë i ditur punonjësit. Dhe së dyti, dokumenti nga pikëpamja formale. Një dokument që ka ndërhyrje, të cilat nuk janë aspak korrekte, sepse nëse është autorizuar një punonjës i administratës për të plotësuar një formular, sigurisht që nga ky moment nuk mund të ketë një dorë të dytë që vë dorë në formular. Gjë e cila ka ndodhur. Dhe nga pikëpamja formale, ky dokument është i pavlefshëm. Kjo është dhe arsyeja e ndërhyrjes time bashkë me komisionin, për të dhënë një përgjigje shteruese për punonjësin. Përgjigjia shteruese duhet bërë patjetër në momentin që është mbledhur një komision mbi bazën që do shqyrtojë gjithë dosjen e punonjësit dhe ne do t’ja bëjmë me dije”.

Nga ana tjetër, avokatja Eda Grimçi shpjegon të gjitha shkeljet e bëra në këtë rast dhe tha se përpara se qytetari t’i drejtohet gjykatës, Prefektura mund të bëjë një rivlerësim për 6-mujorin e parë të 2018-ës.

Avokatja Eda Grimçi: “Në momentin që një nëpunës civil kërkon dorëheqjen, ky nëpunës civil e ruan statusin si nëpunës civil për një periudhë 2-vjeçare. Kjo parashikohet në mënyrë taksative nga ligji për shërbimin civil. Në momentin që një punonjës jep dorëheqjen, është detyrim ligjor i burimeve njerëzore të institucionit t’i vendosë në dispozicion gjithë dosjen e tij personale. Dhe po të shoh unë vlerësimin periodik që i është dhënë pastaj dhe është vënë në dispozicion nga institucioni, është absurd si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Në përmbajtje ka, për të njëjtën rubrikë ku është vlerësimi 1, 2, 3 apo 4, është çekuar si tek dyshi që thotë mirë, edhe katra që do të thotë jo mjaftueshëm. Ky vlerësim është firmosur vetëm nga Prefekti i qarkut. Nuk mundet që të mos firmoset nga eprori direkt, që është përgjegjësi i sektorit, pasi Prefekti i qarkut pavarësisht se është zyrtari më i lartë autorizues dhe firmos, nuk mund të nxjerri akte Prefekti i qarkut për shërbimin civil, pasi nuk gëzon statusin e nëpunësit civil. E para është absolutisht i pavlefshëm sepse ka korrigjime në përmbajtje. Të interesuarit i lind e drejta t’i drejtohet Gjykatës, por para se t’i drejtohet Gjykatës duhet t’i drejtohet Prefekturës së Qarkut Lezhë, sepse pavarësisht se nuk është më ai Prefekt po ka një tjetër, Prefektura nuk është një institucion privat, është një institucion shtetëror që siguron vazhdimësinë dhe sigurinë e akteve ligjore apo të shkresave që ky institucion nxjerr. Ky vlerësim duhet të ribëhet, pasi nëse nuk është Prefekti, është puna e bërë në atë periudhë, e cila është e dokumentuar dhe e faktuar”. /tvklan.al