Shefi i marrëdhënieve me mediat në Shtëpinë e Bardhë Majk Dubke ka dhënë dorëheqjen, një lajm ky i konfirmuar dhe nga presidenti Donald Trump. Por mediat amerikane hedhin dyshime se atij iu kërkuar dorëheqja nga Trump.

Shefi i marrëdhënieve me mediat në Shtëpinë e Bardhë Majk Dubke ka dhënë dorëheqjen 3 muaj pasi u punësua nga presidenti, Donald Trump. Kjo është konfirmuar nga vetë lideri amerikan. Dubke, një strateg republikan me eksperiencë ishte zgjedhur nga Trump në Mars për të rinovuar strategjinë e medias së Shtëpisë së Bardhë.

Dorëheqja e tij vjen në një kohë trazirash për presidentin amerikan. Kohëve të fundit ka pasur qëndrime kontradiktore mes Trump dhe zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë. Mediat amerikane aludojnë se kjo mund të jetë arsyeja e vërtetë e largimit të tij. Madje hedhin dyshime se atij i është kërkuar dorëheqja. Vetë Dubke thotë se dorëzoi dorëheqjen që me 18 maj në kushte paqësore.  Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rejnc Prajbus i kishte kërkuar të qëndrojë në detyrë deri në kthimin e Trump nga turi i vizitave në Lindjen e Mesme dhe Europë. 

Majk Dubke pas dorëheqjes kishte dërguar edhe një email miqëve të tij në Shtëpinë e Bardhë. “Arsyet e largimit tim janë personale”, shkruan ai ndër tjerash duke theksuar se e ka pasur për nder që punoi për presidentin Trump dhe administratën e tij. Ndërkohë, ka zëra se atij mund t’i besohet një tjetër post po në administratën Trump. Ndërsa ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë atë në detyrën e Shefit të marrëdhënieve me mediat në Shtëpinë e bardhë. Por përflitet se mund të jetë Kori Levandovski, ish-menaxheri i fushatës presidenciale të Trump./ABCNews