“Stop” u ndal në denoncimin e qytetares Filda Heta, e cila është mashtruar nga dy ndërtues që në vitin 2002 dhe megjithëse është drejtuar në organet kompetente, asgjë nuk është bërë.

Filda Heta na tregon se familja ia dha vilën dykatëshe në Rrugën e Bogdanëve, investitorit Shpëtim Bimo. Sipas marrëveshjes, ky objekt do të mbaronte në 2006-ën dhe pronarëve të truallit do t’u jepeshin pjesët takuese. Por kjo nuk ndodhi dhe investitorit nuk i hyri gjemb në këmbë.


Denoncuesja: Prona është nga babai im, rrobaqepës dhe ka pasur gjithë këtë zonën këtu në pronësi të tij. Pjesa e shkollës “Avni Rustemi”, rruga dhe kjo pjesa këtu që ne kishim të ndërtuar një shtëpi dykatëshe. Në vilën dykatëshe kemi jetuar, mami, babi dhe vëllezërit e mi. Vendosëm që të bëhet një ndërtim dhe e bëmë me kontrata me një investitor për të zhvilluar pronën. Firma e ndërtimit, Koli SH.P.K ndërsa investitori që kemi bërë marrëveshjen të firmosur nga ai tek notere Majlinda Lleshi quhet Shpëtim Bimo.

Gazetari: Çfarë u parashikua në këtë marrëveshje? Sa njësi do të përfitoni ju si trashëgimtarë të truallit dhe të vilës dy katëshe që dhatë për ngritjen e këtij pallati?

Denoncuesja: U specifikuan apartamentet që do marrë çdo bashkëpronar. Në rastin tim, mua më takuan dy apartamente që aktualisht është në këtë situatë dhe në katin e gjashtë që është në këtë situatë që do ta shikoni. 2006 që do ta dorëzonte e deri tani.

Gazetari: I bie 16 vite… Sa kohë keni ndenjur me qira, me lekët tuaja duke pasur një shtëpi, duke pasur një vilë dykatëshe, duke qenë në rehatllikun tënd le të themi?

Denoncuesja: Kam qëndruar në një pallat diku më tej deri në vitin 2013. Nga viti 2013 kam ardhur të qëndroj këtu tek mami, tek vëllai. Lekët i kam paguar vetë, i kam me dokumentacion. Qëndroj tek mami, tek vëllai. Domethënë unë jam në kushte të pabanueshme.

“Stop” ka siguruar akt-marrëveshjen e hartuar te noterja Majlinda Lleshi, gjithashtu kemi gjetur falsifikimin e hartës së pronës Heta dhe falsifikimin e firmës së vetë zonjës Heta.

“Kemi bërë një akt-marrëveshje dhe në vitin 2004 është realizuar një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Ndërkohë, të kësaj leje, është dhënë edhe një pjesë tjetër që ne nuk e kemi dhënë në akt-marrëveshje dhe ndërtuesi e ka futur në një mënyrë të tij sesi ka vepruar”, tha denoncuesja.

Si pasojë e këtij falsifikimi, objekti nuk iu përmbajt lejes dhe ndërtoi më shumë, sesa ishte parashikuar. Përmes këtij marifeti, objekti me leje ndërtimi të 2003-shit doli jashtë lejes, madje nuk arriti të përfundonte, por u bë ndër vite me copa.

Për këtë rast janë bërë 10 denoncime, por asnjë masë nuk është marrë. 

Vetë investitori Shpëtim Bino, në një përballje me zonjën Heta, thotë, se çështja mund të zgjidhet vetëm me gjykatë.

Filda Heta: Për ato hyrjet e mia, si do ia bëjmë? Që t’i vesh në funksion, se unë jam pa ujë, pa drita, pa asgjë…

Investitori Shpëtim Bimo: Ouuu…të njëjtën histori ke, që atëherë? Ne vetëm në gjykatë do shkojmë bashkë. Nuk merrem vesh unë me ty.

Filda Heta: Po pse, unë të kam çuar edhe letra me anë të postës, me anë të mesazheve… Si do ia bëjmë?

Investitori Shpëtim Bimo: Vetëm në gjykatë!

Filda Heta: Po çfarë arsye ke, që nuk i bën?

Investitori Shpëtim Bimo: Nuk është muhabet rruge.

Filda Heta: Po ashtu do rri unë prapë?

Investitori Shpëtim Bimo: Me shkrim! Vetëm me shkrim! Mirë, do ta çoj përgjigjen me shkrim…!

Filda Heta: Pse nuk i bën? Të lutem! Do t’i bësh apo jo? Hajde të shohim gjendjen aktuale, si është edhe kaq…! Do të vendosim diçka, apo jo?

Investitori Shpëtim Bimo: Jo, jo!

Filda Heta: Po a kemi një kontratë bashkë?

Investitori Shpëtim Bimo: Ne kemi një kontratë dhe ajo kontratë do të zgjidhet në gjykatë.

Filda Heta: Po dy vjet e kishim atë kontratë. Të lutem tani..!

Investitori Shpëtim Bimo: Vazhdon efektet edhe sot  ajo kontratë…

Filda Heta: Nuk pranon ti?

Investitori Shpëtim Bimo: Jo!/tvklan.al