Shërbim prove dhe punë në interes publik për protagonistët e ngjarjes

Ka marrë fund procesi gjyqësor për vrasjen e Fabian Gaxhës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, më 4 Tetor të vitit 2018, ku ndodhi një përplasje me armë mes dy grupeve rivale.

Gjykata vendosi që komandoja Meviol Bilo të cilësohet fajtor për plagosjen e rëndë të Elio Hatos. Ai u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu reduktua në 4 vite e tetë muaj burg.

Megjithatë ish-komandoja nuk do të shkojë në burg, pasi dënimi iu konvertua në 4 vite e 8 muaj shërbim prove. Që pasi ndodhi ngjarja Meviol Billo ka qëndruar në arrati. Sipas avokatit të tij, Billo qëlloi me armë për shkak se i rrezikohej jeta në momentet e përplasjes.

Ndërkohë, biznesmeni Ervin Mata dhe miqtë e tij Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, u dënuan për moskallëzim krimi me 6 muaj burg. Dënimi për ta zbret në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjithsesi gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe urdhëroi Matën, Allushin dhe Boshnjakun të kryejnë secili nga 100 orë punë në interes publik. Me shërbim prove u dënua edhe Geldo Hoti.

Tv Klan