Balluku: Zgjidhim problemin e energjise dhe te permbytjeve

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar autorizimin që qeveria të nisë negociatat për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me kompaninë amerikane, Bechtel International.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkoi miratim të shpejtë të këtij ligji në seancën e ardhshme plenare në mënyrë që të nisin menjëherë negociatat me shoqërinë, ndërsa theksoi se ndërtimi i Skavicës do t’i japë fund problemeve të sigurimit të energjisë por dhe përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës.

“Është një nga investimet më të rëndësishme në sektorin energjetik në Shqipëri. Bën një optimizim shumë të mirë të Kaskadës së Drinit dhe zgjidh problemin e përmbytjeve në fushën e Nënshkodrës.”

Projekti ndahet në dy faza: brenda 6 javëve kompania bën matjet dhe studimet në terren dhe jep propozimin fillestar për projektin teknik e faturën e veprës, ndërsa në fazën e dytë ajo do të ndihmojë në gjetjen e financimit përmes kredisë dhe brenda 60 ditëve finalizon negociatat me Korporatën Elektroenergjetike.

“Investimi do të bëhet nga fondet e vëna në dispozicion nga KESH për kontratën e parë dhe për kontratën e dytë Bechtel International do të asistojë për të gjetur kredinë.”

KESH ka marrë në studim dy variante për Skavicën: projekti i parë me prodhim vjetor 479 gigavatorë dhe kosto ndërtimi 308 mln euro dhe Skavica B, me prodhim 915 gigavat orë, por që kërkon një investim 510 milion euro.

Qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Bechtel për ndërtimin e hidrocenteralit gjatë vizitës në Shqipëri të Nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara për Ekonominë Keith Krach.

Tv Klan