20 vite burg për shoferin e kamionit dhe menaxherin e kompanisë 

Pas një seance që ka zgjatur më shumë se 10 orë, Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dënuar me 14 vite burg Arbër Çekajn, të akuzuar për sasinë prej 613 kg kokainë. Gjithashtu togat e zeza dënuan me 8 vite e 8 muaj burg, shoferin e kamionit që transportoi kontenierët nga Porti i Durrësit drejt kompanisë “Arbri Gardën”, Armando Pezakun, ndërsa menaxheri i kompanisë Donaldo Lushaj u dënua me 10 vite e 8 muaj burg.

Prokuroria akuzon Çekajn, si organizator të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Lënda narkotike u zbulua në shkurt të 2018-s në Maminas, pasi ishte fshehur në kontenier me banane që ishin porositur nga Çekaj. Në seancën e së martës që u zhvillua me dyer të mbyllura, Çekaj tha se prokuroria dhe policia urdhëruan ndërprerjen e operacionit, me qëllim fshehjen e trafikantëve të vërtetë, duke mohuar akuzat.

“Nuk jam trafikant droge. Duke më arrestuar mua, policia, organi i akuzës bënë një akt të paprecedentë. Deshi të më faturojë mua një gjë që nuk është e imja, që të shpëtohen trafikantët e vërtetë.”

Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe avokatët e të arrestuarve që e konsideruan vendimin të papranueshëm. Arbër Çekaj, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku akuzohen për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal. Nëse sasia rekord e drogës do të dilte në treg do të kapte vlerën e rreth 180 milionë eurove.

Tv Klan