Avokati: S’është terrorist, u dorëzua vetë

Komrom Zukhurov, që u arrestua nga antiterrori mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, do të qëndrojë në burg. 24–vjeçari nga Taxhikistani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, pasi dyshohet si anëtar i një organizate terroriste e lidhur me ISIS.

Ndërsa avokati i tij, Asllan Dogjani, bashkëjetuesja e të cilit ka lidhje familjare me të akuzuarin, tha se nuk besonte që klienti të ishte terrorist.

Ai dha si argument faktin që u dorëzua vetë në polici dhe se përballë gjykatës ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar në Gjermani, por me kusht që të mos ekstradohet në Taxhikistan, pasi më parë regjimi i këtij vendi e ka dhunuar. Për të vërtetuar dhunën ai i paraqiti gjykatës disa foto.

“I mbrojturi prej meje ka shkuar vetë me dëshirën e tij në policinë e shtetit, sapo është informuar. Ne kemi kërkuar masë sigirumi më të butë. Klientit tim i rrezikohet jeta në vendin tij, pasi atje e kanë dhunuar, duke përdorur edhe rrymë elektrike në trupin e tij. Ai ka ardhur me vizë në Shqipëri, për vizitë te halla e tij dhe ka mohuar akuzat.”

Sipas policisë Zukhurov u arrestua gjatë operacionit “Vizitori”, pasi dyshohet si pjesë e një organizate terroriste qe kishte planifikuar sulme ndaj interesave te NATO-s ne Gjermani.

5 anëtarë të celulës ku dyshohet se bënte pjese 24-vjeçari u arrestuan nga policia gjermane, në 15 Prill në Berlin. Mediat gjermane, qe u referohen burimeve zyrtare, shkruajnë se dy nga anëtarët e kësaj celule kanë udhëtuar më herët në Shqipëri për të kryer një atentat në këmbim të 40 mijë dollarëve, por plani dështoi.

Tv Klan