Ish-kryeprokurori akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dy vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilin e akuzon për deklarim të rremë të pasurisë.

Në dhënien e pretencës prokurori i SPAK ka kërkuar gjithashtu edhe si dënim plotësues përjashtimin e Llallës për 5 vite nga funksionet publike.

Por për shkak se ai ka pranuar gjykimin e shkurtuar, i falet 1 e 3 e dënimit të kërkuar. Ndaj nëse Gjykata do të pranojë kërkesën e prokurorisë për dënimin e Llallës, atëherë masa e dënimit të tij nga 2 vite burg zbret në 1 vit e 4 muaj burg.

SPAK pretendon se ka faktuar në të paktën 3 raste, kur Llalla nuk ka deklaruar saktë pasurinë e tij. 

Në Dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO vendosi sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit. Atij iu sekuestrua një apartament banimi në Durrës si dhe rreth 22 mijë metra katror tokë arë në disa parcela të ndryshme.

Hetimet për Adriatik Llallën kanë nisur më 26 Mars të 2018 nga prokuroria e Durrësit dhe më pas dosja u transferua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm u dyshua për 4 vepra penale si ajo e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, pastrim të parave dhe deklarimit të rremë të pasurisë, por gjatë hetimeve këto akuza u rrëzuan.

Tv Klan