Avokati: Dëshmia e sanitares tërësisht e rreme

Alda Klosi do të qëndrojë në burg pa afat me vendim të Gjykatës së Tiranë, e cila këtë të martë vlerësoi të ligjshëm arrestimin e saj me urdhër-ndalimi nga Prokuroria, 3 ditë më parë.

Gjyqtari Arben Micko, prokurorja Mirela Zalavani dhe avokati  Ilirjan Muho, e nisën seancën fillimisht në ambientet e QSUT-së, ku Alda Klosi vijon të jetë e shtruar për shkak të problemeve shëndetësore.

Pas marrjes së gjeneraliteteve, seanca u zhvendos në ambientet e gjykatës, aty ku Prokuroria kërkoi  mbylljen në qeli të ish-zyrtares për 3 akuza, fshehje e pasurisë, pastrim parash dhe dhënie të dëshmive të rreme përballë punonjësit të policisë.

Kontradiktat në dëshminë e vetë Alda Klosit për origjinën e 120 mijë Eurove dhe grabitjen në banesë, si dhe dëshmia e sanitares Rozeta Dobi qëtha se edhe 400 mijë Eurot e tjera i kishte marrë te shtëpia e ish-zyrtares, ishin provat më të forta të Prokurorisë. Por për avokatin Ilirjan Muho, dëshmia e sanitares Dobi është tërësisht e pavërtetë.

“Është hera e katërt që ajo pyetet në prokurori dhe sa herë që është pyetur ka dhënë nga një version të ri të ngjarjes. Fillimisht nuk e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre, më pas e pyetur pas disa ditësh ka pranuar që e ka kryer këtë vepër së bashku me djalin e saj dhe në deklarimin e datës 3 Shkurt ka pohuar para prokurorit dhe oficerëve të policisë gjyqësore që këto veprime i ka kryer në një marrëveshje të plotë me Alda Klosin. Është një gënjeshtër”, tha avokati.

Alda Klosi u vu në pranga mbrëmjen e 3 Shkurtit, pas dëshmisë disa orëshe të sanitares së saj Rozeta Dobi, e cila pretendon që prej vitit 2018 në banesat e ish-zyrtares ka parë vlera të mëdha parash që vinin me kuti.

Tv Klan