Tahiri dënohet për shpërdorim detyre

Tahiri dënohet për shpërdorim detyre

21:59 19/09/2019

Gjykata rrëzon akuzat për trafik droge

Në fund të një seance maratonë, që nisi që prej orës 09:00 të paradites, ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u njoh me vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit e dënoi atë vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke i rrëzuar tre akuzat e tjera për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe veprime të kryera në kuadër të këtij grupi.

E vetmja akuzë që u provua ndaj ish-Ministrit të Brendshëm është shpërdorimi i detyrës, në kushtet kur sipas Gjykatës nuk ishin marrë masa për parandalimin e kanabizimit dhe përfshirjen e punonjës të policisë në këtë veprimtari.

Ish-Ministri u dënua me 5 vite burg në total, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij iu ul masa e dënimit me 3.4 vite burg dhe në përfundim iu konvertua në 3 vite shërbim prove, çka do të thotë se Tahiri nuk do të kryejë as një ditë burg. Po ashtu ish-Ministri nuk duhet të ushtrojë poste publike për 3 vite. Në komentin e parë menjëherë pas vendimit të Gjykatës, Tahiri e konsideroi absurd dhe qesharak dënimin e dhënë nga Gjykata.

Tahiri deklaroi se do ta apelojë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke mos e komentuar si fitore lirimin nga akuzat për trafik droge.

Ashtu si gjatë paradites edhe në dalje nga Gjykata, ish-Ministri u shoqërua me duartrokitje nga mbështetës të tij. Për ish-Ministrin, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar 12 vite burg për akuza që nuk lidheshin me shpërdorimin e detyrës. Me 3.4 vite burg u dënua ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Tv Klan

LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT