Moderatori Bledi Strakosha, ka qenë këtë të shtunë i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ku ka ndarë me publikun një foto, pas së cilës qëndron një histori shumë e bukur, por edhe emocionale.
Fotoja është shkrepur pas një momenti të vështirë që ka kaluar babai i tij. Sipas moderatorit, ky ishte një çast shumë i paqartë, pasi ata nuk e dinin nëse i ati do të ishte sërish mes tyre. Sot, ky i fundit gëzon shëndet të plotë, por për Strakoshën, ishte një moment që ndryshoi çdo gjë.
Tani, Bledi Strakosha përpiqet që të kalojë sa më shumë kohë me familjarët, e të jetë një djalë sa më i mirë jo vetëm për ta, por edhe për babain e tij.
Bledi Strakosha: Këtu jemi në një udhëtim që kemi bërë në Greqi, në mos gaboj, pas një momenti të vështirë që ka kaluar babai, për të cilin unë shkurtimisht kam folur një herë tjetër, këtu në studion tuaj. Ishte një moment shumë i paqartë, nëse ai do të vazhdonte të ishte sërish mes nesh dhe fatmirësisht ai gëzon shëndet të plotë, si të thuash, e kaloi atë moment. Por pas atij momenti, ishte ai çasti ku, për ta lidhur pak ndoshta me atë shprehjen, me moton e jetës time, unë kisha dëshirën që të isha një djalë, një fëmijë më i mirë për prindërit e mi, për tim atë. Kam pasur veçanërisht atë pengun e kohës që e kisha shpenzuar shumë larg tyre. Duke rendur pas atyre angazhimeve profesionale, të cilat ne që punojmë në televizion e dimë sakrificën e një formati televiziv, domethënë fillon hershëm në mëngjes dhe nuk e di se kur mbaron. Mirëpo, kjo nuk duhet që t’i bjerë në qafë marrëdhënieve që ndërtojmë me familjarët tanë, marrëdhënieve që ndërtojmë me këdo, qoftë edhe profesionale. Kështu që zgjodha këtë foton sepse është një kujtim shumë i bukur, jemi të gjithë të buzëqeshur, më në fund, edhe kam dashur gjithmonë që ta shoh marrëdhënien time me ta kështu. Uroj që të gjithë njerëzit të kenë një marrëdhënie shumë të afërt me prindërit. /tvklan.al