Opinion– Ai është një nga figurat e njohura të shoqërisë shqiptare, me një kontribut evident në kulturë, por edhe në politikën kombëtare. Bëhet fjalë për Rexhep Qosen, i cili ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu më datë 24 Prill të vitit 2003.

Gjatë intervistës, ai ka folur për jetën e tij, vendin ku ka lindur, Prishtinën ku ka studiuar, vizitat në Shqipëri dhe krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Unë kam lindur në fshatin Vuthaj, që siç shkruan Eqerem Çabej do të thotë vend i shtrirë, i rrafshtë dhe në të vërtetë vendi ashtu është, por njerëzit që jetojnë aty nuk janë ashtu. Kur është fjala për njeriun, fjala ‘i vuthë’ do të thotë i bindur dhe i butë. Kushtet jetësore në të cilat kanë kaluar i kanë bërë vuthjanët të mos jenë lehtësisht të bindur dhe të butë. Unë ka shkuar në Kosovë në moshën 16-vjeçare, në vitin 1953 dhe nuk jam kthyer më në Vuthaj për të jetuar”.

“Familja ime përbëhej nga dy prindërit, 5 vëllezër dhe 3 motra. Nuk ishim as shumë të varfër dhe as shumë të pasur, por plotësonim kushtet jetësore. Unë nuk kam dashur të studioj Letërsi, por Mjekësi. Por atëherë ata që kryenin shkollën normale, të cilën kam kryer edhe unë, nuk mund të studionin Mjekësi. Kur shkova në Prishtinë, qyteti ishte dukshëm i vogël, megjithëse ishte kryeqendër e Kosovës, quhej qark autonom. Kishte një gazetë, një revistë dhe shkollën normale që ishte më e populluara. Kur isha i ri nuk dija shumë për Shqipërinë e asaj kohe, nuk kishte informacione dhe radio nuk lejohej të dëgjohej”.

“Por unë jam rritur në një familje ku babai vazhdimisht fliste për Shqipërinë, për Shkodrën, regjimin e Zogut, por koncepti im është krijuar në bazë të literaturës. Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1969. Kur kam kaluar kufirin kam ndjerë pulsin tim të zemrës që më ishte shtuar, por kur arrita në Tiranë kam parë që gjërat nuk përputheshin me atë që unë dëshiroja, pata një zhgënjim”.

“Gjatë qëndrimit në Shqipëri kam takuar shumë njerëz dhe për herë të parë dhe të fundit edhe Lasgush Poradecin. Pas vitit 1990 jam kthyer shpesh në Shqipëri dhe ndryshimet që kam parë kanë qenë të dukshme”, tha Qosja.

I pyetur në për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Qosja u shpreh se nuk bën pjesë në personat që e kanë krijuar dhe se sipas tij asnjë prej atyre që e kishin krijuar nuk ishin në udhëheqjen e saj.

“Atëherë në gjithë Jugosllavinë formoheshin parti, qëllimet e së cilave ishte reformimi i sistemit dhe krijimi i pluralizmit”, tha Qosja. / tvklan.al