Dosier-Sabri Godo njihet si një penë e rrallë në romanet me karakter historik, ku më të bujshmet e më të diskutuarat të shkruara prej tij janë “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”.

Ai u përfshi aktivisht në luftën antifashiste kur ishte vitin e tretë në gjimnaz dhe për 23 muaj, nga Korriku i vitit  1943 deri në Maj të vitit 1945, mori pjesë në të gjitha Luftrat e Brigatës VI, në Shqipëri e Jugosllavi, ku u shqua e më pas u dekorua për trimëri të veçantë. Shërbeu në ushtri si oficer deri në vitin 1948, e më pas u përjashtua si politikisht i padëshiruar. Në vitin 1953 përjashtohet nga Partia Komuniste, ku kishte aderuar në Shkurt 1944. Këtu fillon edhe kalvari i tij i periudhës së diktaturës. Për shkak të martesës me një vajzë nga familjet aristokrate dhe të përkatësisë familjare, intelektualë të shquar, kundërshtarë të regjimit, të pushkatuar, të burgosur e të arratisur, jeta e tij ka shkuar disa herë deri në prag të burgosjes. Në vitet ‘90, pasi u shpall pluralizmi politik, ai u angazhua në lëvizjen antikomuniste dhe më 10 Janar 1990 formoi Partinë Republikane të Shqipërisë, një parti e djathtë, aleate e Partisë Demokratike.

Për tetë vjet radhazi, Sabri Godo ishte kryetar i kësaj partie, e më pas dha dorëheqjen. I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 06 Shkurt 2003, Sabri Godo foli për jetën e tij, duke filluar nga angazhimi në luftë e deri te aktiviteti politik.

“Unë kam lindur në Delvinë më 8 Gusht të 1929. Që në fëmijëri më qëlloi të marr një qëndrim kundërshtar ndaj regjimit, në mënyrë të pavetëdijshme. Isha 8 vjeç kur dajallarët e mi bënë kryengritje dhe u vranë. Kjo armiqësi familjare e imja ndaj regjimit të Zogut nuk më pengoi mua që në vitin ’93 të shpallem në si aleat i parë i Partisë Legaliste në Shqipëri. Fati ka dashur që të jem gjithnjë në opozitë me njerëzit që janë në pushtet. Unë u angazhova në lëvizjen antifashiste që në vit të tretë të gjimnazit, në rrethana që lanë gjurmë në jetën time. Kam dalë partizan më 15 Korrik të 1943, familja jonë ishte në arrati. Vëllai dhe motra ishin partizanë. Një ditë kaloi çeta e rinisë së Gjirokastrës në fshatin ku isha unë dhe unë u bashkova me ta. Ishte më tepër shpirti i kundërshtimit dhe aventurës, sepse nuk mund të them që kisha një mendim të formuar për lirinë, kombin, etj. Nuk takova asnjeri nga familja ime për 23 muaj. Më pas hyra në batalionin partizan “Baba Abaz” dhe me këtë repart lëviza në gjithë Shqipërinë”.

“Në Shkurt të vitit 1944 kam hyrë në Partinë Komuniste, në atë kohë komunistët ishin të paktë. Ato ditë jetova në një lloj euforie që nuk mund të përsëritet, mu duk sikur jetoja në një botë tjetër. Partia jetonte në ilegalitet të plotë dhe asnjeri nuk i dinte mekanizmat e nëndheshme të saj. Komunistët kanë qenë mjeshtra në kamuflimin e qëllimeve të tyre. Kam njohur nacionalistë të asaj kohe, disa u adaptuan, disa të tjerë u eliminuan sepse panë që lëvizte hileja. E ardhmja përgatiste diçka të keqe për nacionalistët e vërtetë. Kam qenë në Gjirokastër kur u ndanë kufijtë, qyteti i Gjirokastrës u nda në mes. Gjysma kontrollohej nga ballistët dhe gjysma nga partizanët. Atje filloi drama, aty u pa që komunistët nuk donin partnerë dhe partizanët nuk mund t’iu nënshtroheshin”.

“Dëmi më i madh që iu bë Ballit Kombëtar ka qenë fakti që shumë çeta u bashkuan me gjermanët kundër partizanëve. Enver Hoxhën nuk kam mundur ta njoh as atëherë dhe as më pas. Nuk i jam afruar më shumë se 30 metra. Kanë qenë tre njerëz që nuk i takova kurrë në kohën e luftës, Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia. Enver Hoxhën e kam parë për herë të parë në Kongresin e Përmetit. Deri në Maj të 44-s, ne nuk kishim dëgjuar asnjëherë për Enver Hoxhën. Goditja e parë filloi kur pashë që ata kishin një jetë të tyren të shkëputur, jetonin në shtëpi të veçanta. Ishte njësoj si të shikoje ëndrra kur shihje që në shtëpitë e tyre çoheshin byrekë dhe ëmbëlsira. Prishja më e madhe erdhi kur filluan gradat dhe u ndanë rrogat, atëherë u kthye në proces korruptiv dhe filloi të degradonte”.

“Filluan të më kthjellohen idetë në vitin 1947. Fillova të kisha mendime të qarta se çfarë po ndodhte, fillova të ndjej ndjekjen. Në vitin 1950 u martova dhe për dy vite nuk më thanë gjë. Më pas më kanë bërë 7 netë gjyq në organizatën e partisë dhe më pyesnin; do lesh gruan apo partinë? Për të mos shkaktuar më shumë probleme u largova nga partia. Më vonë nisa të shkruaja dhe një vit pasi kisha dalë shkrimtar botova një libër me tregime nga lufta. Ishte një gabim që nuk falej, u quajt rrymë e deheroizimit dhe për këtë foli edhe vetë Enver Hoxha. Më pas më çuan në një uzinë ku punova për 11 vite. Ajo që më shpëtoi të mos futesha në burg ishte libri “Skënderbeu”. Në vitin 1991 unë desha të bëhem pjesë e Partisë Demokratike, por Berisha e zvarriti këtë punë dhe Petro Mako bashkë me Vangjush Gambetën më sugjeruan të bëjmë Partinë Republikane”,tregoi Godo.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012