Vjen ekspozita e fotografes Anjeza Dyrmishi

Gra dhe vajza të famshme, të panjohura, të forta apo të brishta ishin frymëzimi i ekspozitës së fotografes Anjeza Dyrmishi. Në ekspozitën “portrete jete” paraqiten histori njerëzore, suksesi apo dhe të dhimbshme. Një mënyrë për të treguar se gruaja ka vendin e saj në këtë shoqëri.

“Unë zgjodha që të gjitha gratë dhe vajzat të ishin përballë njëra-tjetrës dhe të jenë të ndryshme, sepse duke qenë përballë njëra-tjetrës ato ndoshta nuk do të paragjykojnë njëra-tjetrën. Sepse secila ka fenomenin dhe problematikën e saj. Dhe fundja të gjithë jemi njerëz dhe të gjithë e kemi një kauzë dhe një fenomen për shoqërinë”.

Në ekspozitën e çelur në hollin kryesor të Muzeut Kombëtar mesazhi bëhet akoma më i fortë sipas kryetarit të  Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Ndoshta duhet të pyesim veten ky qytet që mbush 100 vjet, ky vend ka qenë vetëm vend burrash, kjo histori është vetëm histori burrash, se në fakt nëse e shikon dikush këtë muze kështu do të mendonte, siç e dini e vërteta është krejt ndryshe. Besoj që provokimi i parë është vetë vendi ku ndodh kjo ekspozitë”.

Çdo shkrepje një histori, por të gjitha me një mesazh të qartë. Gruaja ka vendin e saj në shoqëri dhe ajo duhet vlerësuar për atë që është, për atë që përfaqëson.

Tv Klan