Profesor Ylli Popa, i cili prej vitesh mban postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave është një prej intelektualëve më të njohur në vend dhe një nga figurat më të njohura të kardiologjisë shqiptare. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu Popa foli për jetën e tij dhe angazhimin si mjek i ish-diktatorit Enver Hoxha.

“Unë kam pasur një lidhje shumë të ngushtë me mjekësinë. Në rrethin tim shumë të afërt kishte pesë mjekë. Që në fëmijërinë e hershme më thërrisnin mjeku i vogël dhe unë edhe psikologjikisht isha i përgatitur që do bëhesha mjek. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Elbasan, u transferova në Bukuresht, Rumanisë. Diferenca mes dy vendeve ishte shumë e madhe. Më pas u riktheva dhe më kërkuan të jepja Bio-Kimi, më pas bëra edhe një specializim në Moskë për kardiologji. Kur jam kthyer, rastin e Enverit ma paraqiti Nexhmie Hoxha. Ai kaloi një infarkt. Infarkti i miokardit është shumë i rrezikshëm në fillim. Ai vuante nga diabeti, ishte pak mbipeshë dhe pinte shumë duhan. Enveri dinte ti krijonte vetë marrëdhëniet e mira me mjekët e tij, por gjithsesi kisha frikë. Ne kishim raporte pune me të në përgjithësi. Lidhur me hamendësimin se mjekët kanë ndikuar në përshpejtimin e vdekjes së Hoxhës mund të them se nuk ishte e mundur. Shenjat e parkinsonit tek ai u përkeqësuan shumë aq sa ai nuk mund të ngrite as dorën e tij në kokë dhe pak kohë më vonë vdiq”, tha Popa./tvklan.al

I ftuar: Ylli Popa, kardiolog.