Ndërsa Ukraina shënoi përvjetorin e tretë të pushtimit rus në shkallë të plotë, njerëz nga të gjitha sferat e jetës reflektojnë mbi ndikimin e luftës në jetën e tyre dhe flasin për shpresat e tyre për të ardhmen.

Tingulli i sirenave të sulmit ajror është bërë pjesë e rregullt e jetës në Kiev dhe qytete të tjera anembanë Ukrainës duke ndikuar në jetën e përditshme të banorëve.

Darya Slavytska, një nënë 27-vjeçare nga një strehë me bomba në një stacion metroje në Kiev, kujton stresin dhe pasigurinë që u përball gjatë shtatzënisë.

“Paqja është një çështje politike, por për njerëzit e zakonshëm paqja do të thotë fundi i gjithë kësaj, nuk do të ketë më drone apo raketa Shahed që do të fluturojnë mbi kokat tona. Dhe sapo të mbarojnë bisedimet, e gjithë kjo do të përfundojë më në fund. Kam humbur shtatzëninë normale, ditë të lumtura, pozitive në pritje të ardhjes së fëmijës tim, përkundrazi kishte shumë stres, nerva, pikëpyetje. Lindja e fëmijës ishte gjithashtu shumë stresuese, kishte shumë ankth”, tha Darya Slavytska.

Retorika armiqësore e Uashingtonit dhe “ndërprerja” e ndihmës ushtarake amerikane e kanë detyruar presidentin ukrainas të përkulet ndaj vizionit të paqes të Trump. Zelensky ishte shprehur më herët i vendosur se Ukraina do të pranonte paqen vetëm nëse garantohej siguria e saj.

Ai gjithashtu akuzoi Trumpin se jeton në një “hapësirë ​​dezinformimi”. E gjithë kjo shërbeu si një prelud për zhvillimin e një takimi të tensionuar mes Trump dhe presidentit ukrainas dhe nënpresidentin e SHBA JD Vance, të cilët akuzuan Zelensky se nuk ka respektuar SHBA dhe në fund i thanë atij të largohej.

Udhëheqësi ukrainas pati një pritje më të ngrohtë nga liderët evropianë por ndërsa ata u zotuan të ndihmojnë në sigurimin e Ukrainës në të ardhmen, ata bënë të qartë se paqja do të kërkonte ende përfshirjen e SHBA-së .

Për ukrainasit paqja është e vetmja rrugë, për t’i dhënë fund bombardimeve. Maria Palchukovska, një infermiere neurologjike ndihet me fat që nuk ka humbur asnjë anëtar të familjes, por vuajtjet e të plagosurve që trajton dhe vdekjet e panumërta të të rinjve kanë krijuar trauma të thella tek ajo.

“Do të doja të zgjohesha pa sirenat e sulmit ajror, do të doja që të gjithë miqtë e mi të kthehen në shtëpi nga vijat e frontit, do të doja që pushtuesit të largoheshin nga toka ukrainase dhe kufijtë të ishin aty ku thotë Kushtetuta e Ukrainës.Humbja më e madhe është humbja e më të mirëve të kombit, djemve dhe vajzave tona, heronjve tanë. Personalisht kam qenë me fat që nuk kam humbur asnjë të afërm”, tha infermierja Maria Palchukovska.

Pas nisjes së agresionit rus skena kulturore e Kievit ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke u rikthyer gradualisht në jetë. Teatrot dhe operat janë përshtatur duke planifikuar shfaqjet herët, duke lejuar audiencën dhe interpretuesit të kthehen të sigurt në shtëpi. Pavarësisht sfidave, komuniteti artistik mbetet një pjesë jetike e shoqërisë, duke ofruar një ndjenjë normaliteti dhe shprese.

Për Tetiana Lozova, një soliste kryesore në baletin kombëtar, fundi i luftës do të vijë kur vajza e saj të fillojë të ëndërrojë për fëmijërinë dhe të ardhmen e saj dhe jo për mbijetesën. Lufta ka marrë miqtë e saj, kolegët dhe mundësinë për të përqafuar plotësisht pasionin e saj për kërcimin.

“Unë me të vërtetë do të ndjej se lufta ka mbaruar kur vajza ime të fillojë të ëndërrojë për gjërat për të cilat ëndërrojnë të gjithë fëmijët. Pamundësia për të punuar në muajt e parë të luftës, humbja e punës sime të ëndërruar ishin të rënda për mua. Po humbasim vendin tonë, aftësinë për t’u rritur, për të qenë të pavarur dhe për të zhvilluar kulturën tonë”, tha solistja Tetiana Lozova.

Në zemër të Kievit, pensionistët si Ihor Olyniik mblidhen për të kërcyer çdo fundjavë, një traditë që daton që nga koha sovjetike. Pasi ka humbur djalin e tij në konflikt, Ihor beson se paqja e vërtetë do të vijë vetëm kur kufijtë e Ukrainës të kthehen në kufijtë e vitit 1991.

“Putini duhet të tërheqë trupat e tij në kufijtë e vitit 1991. Kjo është ajo që ka rëndësi. Të gjitha armëpushimet, do ta ndihmojë Ukrainën të marrë frymë. Djalin e kam humbur gjatë luftës, është vrarë më 23 Gusht 2022 më 30 gusht do të kishte festuar ditëlindjen kishte dy fëmijë”, tha Ihor Olyniik.

Paqe dhe asnjë gjë më tepër se kaq kërkon edhe Yevhen Voloshyn, një mësues muzike që ëndërron që lajmet që të raportohen në televizione të mos jenë me shpërthime dhe sulme.

I detyruar të largohet nga shtëpia e tij në Mariupol pasi qyteti u pushtua nga trupat ruse, Jevhenit i mungon jeta që kishte dikur dhe shpreson se paqja do të bëjë të mundur kthimin në qytetin e tij të dashur një ditë.

“Mendoj se kur do të ndalojmë së lexuari për shpërthimet në Telegram, për të gjitha të këqijat që po ndodhin, për vdekjen e bashkatdhetarëve tanë, kur nuk do të dëgjojmë tingujt e shpërthimeve, atëherë do të kuptojmë se lufta ka mbaruar. Humbja më e madhe për mua ishte humbja e shtëpisë sime, më duhej të largohesha nga qyteti i Mariupol dhe të shkoja në Kiev”, tha Yevhen Voloshyn.

Ajo që është edhe më e dukshme është mungesa e kompromiseve që Rusia do të duhej të bënte në çdo marrëveshje paqeje. Ndoshta Zelenskyt i ka mbaruar afati i qëndrimit në pushtet, Uashingtoni duket se është ende i vetmi vend ku ai duhet të kthehet.

Por lufta, jo vetëm që i ka ç’rrënjosur jetën shumë ukrainasve, por ka krijuar edhe përçarje të thella brenda familjeve. Me disa të afërm që jetojnë përtej kufirit në Rusi, konflikti ka tensionuar marrëdhëniet dhe ka thyer besnikërinë, duke i kthyer anëtarët e familjes në kundërshtarë.

Dëshira kolektive për paqe dhe normalitet i bashkon ukrainasit, secili duke mbajtur vizionin e tij se çfarë do të thotë t’i japësh fund luftës me të vërtetë.

Klan News