Ajo është një këngëtare shumë e njohur, e cila me zërin e saj na ka emocionuar sa herë ka dalë në skenë. Gjithmonë me projekte të reja muzikore, Manjola Nallbani është një nga ato artiste që i ka dhënë shumë vlera muzikës shqiptare. Ka shkëlqyer si në muzikën e lehtë, klasike po ashtu edhe në atë popullore.

Së fundmi, ajo ka bërë një përmbledhje të 30 viteve të karrierës së saj në një koncert recital, i cili do të mbahet në datën 16 Maj në qendrën e kulturës në “Katedralen Ortodokse Tiranë” në orën 19:00.

Sot këngëtarja ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku zbuloi më shumë detaje rreth koncertit.

“Vendosa një ditë të bukur vere, thash përse të mos bëj një koncert. Mendoj se është pjekur edhe repertori. Duke qenë se unë punoj në Akademinë e Arteve dhe nuk jap koncerte live nëpër qytet erdhi një moment për të bërë një koncert me repertorin tim, është tjetër komunikim me publikun. Koncerti është konceptuar të ketë disa nga këngët mia më të njohura në vite, do ketë edhe muzikë të re, këngë popullore dhe 2-3 materiale operistike. Do të jetë koncert i larmishëm. Jam përpjekur të punoj me ata që unë i konsideroj më të mirët. Koncerti do të jetë i gjithi live nën shoqërimin e disa prej muzikantëve  më të mirë shqiptarë, nën drejtimin e Elton Dedës. Do të jenë të ftuar disa prej këngëtarëve më të mirë të muzikës shqiptare, të cilët janë miq të çmuar të jetës time si Eli Fara, Aurela Gaçe, Kastriot Tusha, Shkëlzen Jetishi po ashtu edhe pianisti Egland Hasa. Po ashtu do të ketë edhe momente humori nga ish-studenti im Rezart Veleshnja. Jam duke punuar shumë dhe thuajse çdo ditë po bëjmë prova. Recitali është quajtur “Jetë me ju” sepse jeta e një artisti është e lidhur çdo moment me publikun”,

tha këngëtarja.

/tvklan.al