Ndarja nga jeta në fushën e gjelbërt e futbollistit ganez Raphael Dwamena ka marrë vëmendjen e gjithë mediave botërore. Sonte pjesa e tretë e emisionit të “Opinion” do t’i dedikohet pikërisht jetës dhe karrierës së 28-vjeçarit i cili asnjëherë nuk e humbi besimin në Zot, pavarësisht sfidës së madhe me zemrën.


Në ditën që ai vdiq, gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani, Fevziu tregon rastësinë e çuditshme. Gazetari kishte udhëtuar në Ganë, në vendlindjen e Dwamena-s, atje ku lajmi i ndarjes së tij nga jeta ishte po ashtu i bujshëm.

“Vdekjet e futbollistëve në fushë janë të rralla kudo në botë. Rafael Dwamena ishte një futbollist profesionist 28 vjeçar që fati nuk e kishte lënë të ndiqte karrierën e tij, pra të talentit si futbollist për arsye të një problemi të lindur në zemër. Ai e humbi karrierën e tij të parë me klubet më të mëdha evropiane edhe pse ishte përfaqësues i ekipit kombëtar të Ganës në moshat e vogla. Më pas gjeti mundësinë të luante në Shqipëri. Arriti të luajë, i bindur që një ditë mund ta humbte jetën, si pasojë e problemit në zemër. Natyrisht nuk e kishte menduar që kjo do t’i ndodhte në fushë.

I ndodhi në ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit. Ai humbi jetën në moshën 28-vjeçare, ndërhyrja e mjekëve ishte e pamundur në ato rrethana. Ishte i ri, ishte shumë i talentuar, ishte një njeri tejet miqësor për të gjithë ata që e njihnin. Ishte një njeri që besonte në Zot dhe ashtu siç deklaroi, jetën e tij e kishte lënë në dorë të Zotit. Zoti e mori në fushë, në vendin që ai donte më shumë. Në vendin ku në njëfarë mënyrë kishte besuar që e ardhmja e tij do të sillte një jetë ndryshe nga ajo që kishte pasur në Gana. Qëlloi që unë të isha këtë fundjavë në Gana dhe vdekja e tij u kthye në një lajm pothuajse nga më kryesorët edhe të mediave të atyshme, por edhe të mediave botërore“, u shpreh Fevziu./tvklan.al