Në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan trokiti Qamile Haxhiu nga Tirana, një 64-vjeçare që jeton në Babrru së bashku me familjen e djalit të saj, në kushte mbijetese. Para 3 vitesh, djali i saj pësoi në punë një aksident që i dëmtoi tre nga rruazat e qafës. Diagnostikimi mjekësor rezultoi me shtrembërim të shtyllës kurrizore që nuk e lejon të punojë.

Bashkëshorti i saj ka punuar roje prej vitesh, po tashmë ka dalë në pension dhe përfiton një pension prej 10.000 lekësh. Djalit të sëmurë i kanë refuzuar KEMP-in dhe i kanë kërkuar para. Në familjen e tyre punon vetëm bashkëshortja e djalit në fabrikën e peshkut, edhe pse vuan nga psoriaza.

Qamilja rrëfen se familja ndodhet në një borxh të konsiderueshëm parash, për shkak se shtëpia e vogël që kanë ndërtuar është në proces legalizimi. Vetë Qamilja nuk përfiton pension pasi i kanë thënë se ka vitet e punës, por jo ditët, për shkak të sistemit të vjetër të kooperativës.

Mirela Milori: I tha për të dalë në kemp?

Qamile Haxhiu: Po, por nuk kisha mundësi për ta nxjerrë në kemp.

Mirela Milori: Ta çosh në kemp nuk do lekë.

Qamile Haxhiu: Po, më kërkuan lekë.

Mirela Milori: Të kërkuan lekë për ta nxjerrë në kemp? Kush të kërkoi, pa emra?

Qamile Haxhiu: Më kërkuan lekë, te Ushtaraku.

Mirela Milori: E kishe rekomandimin e mjekut të familjes?

Qamile Haxhiu: Nuk më kujtohet, a e ka çuar direkt apo ka pasur rekomandim.

Mirela Milori: Megjithatë, kishe një diagnozë të djalit, grafitë dhe çfarë të tha mjeku?

Qamile Haxhiu: Mjeku tha që merr, por mund të paralizohesh komplet.

Mirela Milori: Po, ti këtë e çove te Spitali Ushtarak për kempin. Pse nuk e morën ata?

Qamile Haxhiu: Nuk e di.

Mirela Milori: Pse të kërkuan lekë? Sa lekë të kërkuan?

Qamile Haxhiu: Nuk e di, burri tha “unë nuk mund t’i përballoj me lekë” se nuk kishim. Jam në 6 milionë lekë borxh, nuk di ku të shkoj, jam pa shtëpi.

Mirela Milori: 6 milionë lekë për çfarë?

Qamile Haxhiu: 3 milionë lekë m’i ka marrë legalizimi i shtëpisë, futa nusen në punë, ka një vit me siguracion, ajo vuan nga psoriaza, i janë bërë duart gjak, se si punon nuk e di.

Mirela Milori: Ku punon?

Qamile Haxhiu: Te fabrika e peshkut. I tërhoqëm lekët, i morëm.

Mirela Milori: Për të bërë legalizimin e shtëpisë suaj, duheshin për dokumentet. Po këto 3 milionë të tjerët?

Qamile Haxhiu: 3 milionë i kam nëpër njerëz. Jam në fyt, nuk di ku të shkoj. Djali ndenji shumë kohë pa punë, pastaj shkoi.

Mirela Milori: Nusja punonte ndërkohë?

Qamile Haxhiu: Nusja po, po mos të punojë ajo ku do i marrim lekët? Janë ujë, drita, taksa për të paguar. Ajo sa merr, shumë-shumë 20.000 lekë në muaj.

Mirela Milori: Edhe 100 pensioni i burrit, me 30.000 lekë.. Ti ke përfituar pension?

Qamile Haxhiu: Jo, nuk kam përfituar pension. I kam vitet e punës, por nuk kam ditët. Një vit kanë hedhur 1 ditë, një vit 3 ditë se në atë kohë nuk të linte njeri të rrije në shtëpi.

Mirela Milori: E ke mbushur moshën e pensionit?

Qamile Haxhiu: Që në 2017.

Mirela Milori: Po pse nuk shkon të marrësh pension?

Qamile Haxhiu: “Nuk të takon, duhet të hapësh gjyq”, thonë. “Nuk të takon pensioni se vitet i ke, por nuk ke ditët e punës”. /tvklan.al