Nëse në të kaluarën personazhet e njohur kanë zbuluar më shumë se sa kanë fshehur në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Kanë, këtë vit ka ndryshime të mëdha.
Këtë herë në tapetin e kuq nuk do të lejohet nuditeti apo veshje provokuese nga yjet e kinemasë.
“Qëllimi nuk është të rregullohet veshja në vetvete, por të ndalohet lakuriqësia e plotë në tapetin e kuq, në përputhje me kuadrin institucional të eventit dhe ligjin francez”, thonë zyrtarët e shtypit të Kanës.
Vitet e fundit personazhe të famshëm si Bella Hadid, Naomi Campbell dhe Kendall Jenner kanë shkelur kodet e veshjes.
Në festivalin e Kanës ndalohen gjithashtu selfiet që nga viti 2018, pasi drejtori i Kanës, Thierry Frémaux, i quajti ato “groteske”.
Gjatë viteve të fundit, Festivali i Kanës ka ngjallur polemika në lidhje me kodet e veshjes në tapetin e kuq, siç është kërkesa për të veshur këpucë me taka nga gratë të cilët disa e kanë gjykuar si të padrejtë.
Klan News