Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u ka bërë thirrje amerikanëve që të shmangin udhëtimet për festën e Falenderimeve teksa rastet me Covid-19 vijojnë që të shënojnë rekorde.

Deri më tani Amerika ka regjistruar më shumë se 11.6 milionë infeksione koronavirus dhe më shumë se 250,000 vdekje. Krahasuar me vitet më parë ku dita e Falenderimeve mbush aeroportet, pandemia e Covid-19 i ka pezulluar ato. Në 2019, rreth 26 milionë udhëtarë kaluan nëpër aeroportet e vendit.

Task forca e Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur se rastet me koronavirus mund të rriten gjithnjë e më shumë e ftohjen e motit. Ata i kanë përsëritur thirrjet e tyre popullit që të mbajnë maskë, të shmangin daljet kur nuk është e nevojshme, të ruajnë distancën si dhe të mos marrin pjesë në tubime.

Shtëpia e Bardhë deri më tani ka refuzuar të angazhohet me presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe administratën e tij për politikën e koronavirusit, pasi Donald Trump ende nuk ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

Biden ka deklaruar se bashkërendimi midis dy administratave është i nevojshëm për të luftuar shpërthimin e koronavirusit. Presidenti i zgjedhur ka hedhur poshtë një mbyllje kombëtare kur të vijë në pushtet, pasi kjo do të dëmtonte edhe më shumë ekonominë.

Raste të larta me Covid-19 ka regjistruar edhe Meksika. Në këtë vend numri i të vdekurve ka arritur në 100,000. Zyrtarët kanë pranuar se numri i vërtetë i të infektuarve dhe të vdekurve është më i lartë. Shkalla e vdekshmërisë në Meksikë është 9.8% nga më të lartat në botë, sipas të dhënave të Johns Hopkins. Aktualisht i gjithë globi numëron 57.2 milionë raste dhe më shumë se 1.3 milionë të infektuar.

Klan Plus