Etmond Mancaku rikthehet pas dy vitesh me një video muzikore. Këtë herë, kantautori dhe kitaristi i njohur, ka zgjedhur të mos sjellë një këngë të zakonshme, me instrumental, tekst të kënduar dhe refren, siç jemi mësuar përherë të dëgjojmë.

Kënga mban titullin “Mall për ty” dhe i dedikohet të atit të tij që ka pak më shumë se një vit që është ndarë nga jeta, dhe video muzikore është pikërisht ashtu siç do kishte dashur ai ta dëgjonte.

Etmond Mancaku: Ishte më e ndjerë. Faktikisht edhe në këngët e mia, im atë thoshte sa bukur do të ishte po të ishte orkestrale, i pëlqente shumë kitara. Koha e koronës ishte një periudhë e keqe për të gjithë, ku nuk të shkon mendja, thoja po të ishte gjallë si do reagonim, si do ishte situata? Mbaj mend që kur kam qenë i vogël kam thyer këmbën dhe ngaqë autobuzat ishin plot, më ka mbajtur në krah nga Selvia deri tek Medreseja. Ngushëllimi im i vetëm ishte që në momentin kur ai nuk mund të ecte më, mbas kimioterapive që bënte, unë ia ktheva reston duke e mbajtur në krahë.

Më tej në lidhje me klipin ai shprehet se ka plane shumë artistike dhe të realizuara mirë.

Etmond Mancaku: Nuk do doja që klipi të shihej domethënë si diçka që i ka ndodhur Mandit, aty ka plane shumë artistike, shumë të realizuara mirë do të thoja. /tvklan.al