58-vjeçari mori 54.28% të votave, objektiv rinovimi me Messin

Joan Laporta është presidenti i ri i Barcelonës. 58-vjeçari fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e mbajtura të dielën, duke u rikthyer të marrë postin e numrit 1 të klubit për herë të dytë, pasi më parë e drejtoi ekipin nga viti 2003 deri në 2010.

Laporta mori 54.28% të votave, kjo e ndikuar edhe nga mbështetja e madhe që kishte nga Lionel Messi, pjesë e atyre që kishin të drejtë vote në këto zgjedhje.

Menjëherë pas shpalljes së fituesit, Laporta ka festuar me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa ka falenderuar pjesëtarët e klubit për besimin e dhënë.

“Dua të falenderoj të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në zgjedhje, të cilët na bëjnë më shumë se një klub. 20 vite më parë debutoi një djalë që quhej Lionel Messi. Ai është më i miri në histori dhe në botë. Ai hyri për të votuar me djalin e tij, duke qënë shembull për të gjithë”, tha Laporta.

Pikërisht e ardhmja e argjentinasit do të jetë edhe pika kyçe e mandatit të Laporta tek Barcelona.

Messi është përfolur shpesh si largim i mundshëm nga “Camp Nou”, por Laporta tashmë duhet të nis nga puna për t’i prishur mendjen.

Klan News