Tashmë ka një arsye më shumë për t’u ulur para ekranit dhe për të ndjekur ABC News. Sëbashku me emisionin më të ri sportiv, “Pressing”, pjesë e këtij televizioni është bërë edhe një ndër vajzat më të bukura në Shqipëri. Ajo është Joana Grabolli, e cila në vitin 2017 është shpallur Miss World Albania dhe e ka përfaqësuar Shqipërinë në konkurse ndërkombëtare bukurie. Në një intervistë për Abcnews.al, Joana rrëfen si i erdhi ftesa për të bashkëdrejtuar këtë emision, eksperiencën e re si prezantuese, por edhe risitë që na sjell “Pressing”, të cilin do e moderojë sëbashku me gazetarin e mirënjohur sportiv, Gerti Çarçani.

Jeni një nga vajzat më simpatike në televizion, por a mund të na tregoni për publikun që nuk iu njeh, se kush është Joana Grabolli?

Unë jam Miss World Albania 2017. Kam prezantuar Shqipërinë në një nga kompeticionet më të rëndësishme në botë vitin e kaluar, që është Miss World. Ky konkurs bukurie u zhvillua në Kinë. Gjithashtu jam studente e stomatologjisë.

Si ju erdhi ftesa për ta bashkëdrejtuar emisionin sportiv në ABC News?

Kisha bërë një provë në Televizionin Klan për prezantim. Drejtuesve u pëlqeu, por mbeti si pezull, sepse nuk ishte bërë akoma gati ky emision. Unë madje kisha plane për të qenë në një projekt tjetër në televizion, por më morën, më lajmëruan që sapo filloi emisioni dhe ndihem shumë e privilegjuar që ma besuan.

Është hera e parë që moderoni në një emision sportiv?

Po është hera e parë për mua në moderim, jo vetëm në një emision sporti. Por e kam patur gjithmonë me shumë dëshirë dhe po përpiqem shumë që t’ia dal më së miri.

Ju kemi parë në pasarela, studioni për stomatologji dhe tani në një emision sporti… Në fakt keni ndonjë lidhje me sportin?

Po, sportin unë e adhuroj. Vetë kam dy vite që bëj krosfit çdo ditë, por edhe më përpara kam luajtur basketboll. Futbolli është një nga sportet më tërheqëse, nuk ka se si mos të më bëjë për vete dhe kohët e fundit që po e ndjek, po më dhuron shumë emocion.

Cili është ekipi juaj i preferuar?

Ekipi im i preferuar është Skënderbeu nga kampionati shqiptar, kurse nga kampionatet europiane jam me Juventusin. Cristiano bën efektin e vet!

Si u ndjetë në debutimin tuaj në ABC News?

Në “Pressing”, që puntatën e parë u ndjeva si në shtëpinë time. Realisht është diçka që e kam dashur me kohë ta bëj.

Çfarë risish na sjell emisioni “Pressing”?

Në çdo puntatë në “Pressing” ne përpiqemi të prekim çdo zhvillim sportiv të javës. E veçanta nga emisionet e tjera të sportit është fakti që çdo javë është një temë kryesore, për të cilën kemi debat në studio me të ftuarit dhe debati bëhet shumë i nxehtë.

Si ndiheni si bashkëprezantuese përkrah Gerti Çarçanit, i cili duhet thënë që është një ndër gazetarët më të njohur të sportit në Shqipëri?

Përkrah Gertit ndihem e privilegjuar, sepse e kam ndjekur. E di që është shumë i aftë në këtë fushë, por së shpejti do ndihet edhe ai i privilegjuar që prezanton me mua.

Çfarë synon ndryshe ky emision për publikun?

Synimi jonë është që publiku të jetë sa më i informuar mbi sportin, por kjo e sjellë në një mënyrë tërheqëse, që ndoshta dhe ata nëpër shtëpitë e tyre të bëhen pjesë e temës së debatit tonë.

Si do ta shohim Joanën në emisionin “Pressing”?

Mua në “Pressing” do më shihni si Joana që jam, e çlirët, e qeshur dhe spontane. Nuk më pëlqejnë moderimet false. Mendoj që shikuesit janë të lodhur nga ato.

/abcnews.al