Joe Biden kërkon të përballet me Donald Trump-in në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës. Ish-zv/presidenti i Shteteve të Bashkuara shpalli këtë të enjte ambicien e tij për të qenë kandidat i demokratëve në presidencialet e ardhshme. Objektivin e tij e bëri publik përmes një postimi në Twitter ku bëri publik edhe një spot publicitar.

“Vlerat themelore të kombit, pozita globale, demokracia dhe gjithçka që ka ngritur Amerikën janë në rrezik”,

shpjegon Biden, duke i dhënë këto edhe si disa prej arsyeve pse vendosi të kandidojë. 76-vjeçarit i duhet megjithatë të përballet me 19 pretendentë të tjerë deri më tani, për kandidaturën e demokratëve në zgjedhjet paraprake. Mes tyre janë edhe figura si Berni Sanders, rivali më i fortë i Hillary Clinton në zgjedhjet paraprake të 2016-s.

Edhe pse shihet si një kandidaturë potenciale, analistët thonë se figura e Biden ka mangësi për faktin se dështimet gjatë administratës Obama mund t’i përdoren kundër në garën elektorale të 2020-s. Të njëjtin problem pati përballë Donald Trump-it edhe Hillary Cliton 3 vite më parë, çka ndikoi në humbjen e saj.

Tv Klan