Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori të hënën dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit.

Procedura u transmetua në rrjetet kabllore, pak minuta pasi ndodhi. Në komentet e shkurtra për gazetarët, ai tha se ka besim tek ekipi i tij për rritjen e shkallës së vaksinimit, pasi të marrë detyrën më 20 Janar.

Biden e ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech më 21 Dhjetor. Për të qenë efektive, kjo vaksinë duhet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka prekur mbi 22 milionë njerëz, ndërsa ka vrarë mbi 374,000. Me këto shifra, SHBA-ja është vendi më i goditur në botë.

Në Evropë prin Mbretëria e Bashkuar me mbi 3.1 milionë të infektuar dhe mbi 82,000 viktima.

Numri global i të infektuarve ka kaluar 90 milionë. Prej tyre, mbi 1.9 milion pacientë kanë vdekur dhe mbi 50 milionë janë shëruar. /REL