Joe Biden betohet sot si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai vjen në këtë post në një kohë kur vendi përballet me përçarje politike, ankth ekonomik dhe me pandemi.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris do të betohet së bashku me të në Washington DC, që është fortifikuar, për shkak të fikës për përplasje civile.

Rreth 25 mijë trupa do të ruajnë ceremoninë e inaugurimit, pas protestave vdekjeprurëse në Capitol Hill, më herët gjatë këtij muaji.

Donald Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë për herë të fundit, për t’iu drejtuar Floridas. Ai nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.

Si do të zhvillohet dita e inaugurimit?

Biden do të betohet si Presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara përpara kreut të Gjykatës së Lartë, John Roberts, pak pas mesditës të së mërkurës, në orën 18:00 me orën tonë, brenda Capitol.

Për shkak të kufizimeve nga Covid-19, në ceremoni do të mungojnë turmat e mëdha të mbështetësve, tradicionale në inaugurim. Gjithashtu e gjithë ceremonia do të jetë nën masa të rrepta sigurie, për shkak të trazirave të 6 Janarit, kur mbështetës pro Trump-it u futën në Capitol Hill.

Në mesin e personave që pritet të marrin pjesë do të jenë edhe tre ish-presidentët, Barck Obama, Bill Clinton dhe George W Bush.

Në ceremoni do të jetë edhe zv/presidenti në largim Mike Pence, duke mos marrë kështu pjesë në eventin e lamtumirës që Donald Trump do të zhvillojë në një bazë ushtarake jashtë kryeqytetit.

Demokratik Joe Biden pritet të mbajë një fjalim 30 minutësh ku do t’i drejtohet kombit me thirrjet për bashkim. Më pas do të jetë zv/presidentja Harris e cila do të bëjë betimin, duke u bërë kështu gruaja e parë dhe e para amerikano-aziatike me ngjyrë që shërben në këtë post.

Pritet gjithashtu që të ketë performanca muzikore nga Lady Gaga, e cila do të këndojë himnin kombëtar, Jennifer Lopez dhe Garth Brooks.

Në mbrëmje do të mbahet një koncert në Lincoln Memorial që do të prezantohet nga Tom Hanks dhe do të marrin pjesë emra si Bruce Springsteen, John Legend, Jon Bon Jovi, Justin Timberlake dhe Demi Lovato.

Po Donald Trump?

Donald Trump do të jetë presidenti i parë që nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të pasardhësit të tij, që prej 1869-s. Ai do të mbajë një ceremoni lamtumire në Joint Base Andrews në Maryland mëngjesin e së mërkurës përpara se të marrë fluturimin e fundit me Air Force One, për të nisur jetën post-presidenciale në klubin e tij të golfit Mar-a-Lago, në Palm Beach.

Në orët e tij të fundit, Trump i dha faljen më shumë se 140 personave, përfshirë ish-këshilltarit Steve Bannon, që aktualisht përballet me akuzat e mashtrimit. Falje u njoftua edhe për reperin Lil Wayne e Kodak Black, si dhe ish-kryebashkiakun e Detroit, Kwame Kilpatrick.

Në një video mesazh lamtumire të martën, Trump u bëri thirrje amerikanëve që të luten për administratën e ardhshme, ndonëse pasardhësin e tij nuk e përmendi në emër.

Ai tha se ishte krenar për çfarë kishte arritur këto 4 vjet, duke nënvizuar marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme dhe rekordin si presidenti i parë në dekada që nuk nisi asnjë luftë.

Megjithatë, drama e tij politike nuk përfundon me kaq. Senati Amerikan pritet që ta çojë atë në gjyq, pas votimit për herë të dytë në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkim nga detyra, këtë herë me akuzën e nxitjes së dhunës.

Të martën, lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell tha se turma e protestuesve ishte provokuar nga Trump, i cili i kishte mbushur ata me gënjeshtra. /tvklan.al