Kongresi certifikon fitoren elektorale

Kongresi miratoi këtë të enjte në një sesion të përbashkët të dy dhomave asaj të përfaqësuesve dhe senatit, zgjedhjen e Joe Biden si president i 46 i Shteteve të Bashkuara.

Pas mësymjes së dhunshme dhe të paprecedentë të mbështetësve të tij në Kongres, që çoi në pezullimin e përkohshëm të seancës së certifikimit të fitores së demokratit Biden, presidenti në detyrë Donald Trump premtoi se më 20 Janar do të ketë një kalim të rregullt pushteti tek pasardhësi i tij.

Përmes një deklarate për shtyp të publikuar nga mediat, Trump shprehet se nuk e njeh fitoren e Biden dhe se ky ishte vetëm fillimi i betejës.

4 persona u vranë gjatë trazirave që shkaktoi mësymja e mbështetësve të Trump-it brenda në Kongres. Mes tyre, viktima e parë ishte Ashley Babbitt, 35-vjeçe, veterane e Forcave Ajrore Ushtarake ku ka shërbyer për 14 vjet. Ajo u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë. 52 protestues u arrestuan. Mbështetësit e Trump-it hynë deri në sallën e Senatit.

Punimet u rikthyen pasi Forcat Speciale nxorrën jashtë dhe shpërndanë manifestuesit. Kundër dhunës u shprehën edhe shumë anëtarë republikanë të kongresit, zv/presidenti Pence e shumë të tjerë.

“Kur mbërrita nga Uashingtoni, isha plotësisht e bindur ta kundërshtoja certifikimin e votave të Kolegjit. Por pas këtyre ngjarjeve detyrohem ta rishikoj vendimin dhe me ndërgjegje të pastër nuk mund të votoj kundër certifikimit”, tha senatorja republikane e Georgia-s, Kelly Loeffler.

“Ajo që ndodhi këtu ishte kryengritje e nxitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ishte sulm i paprecedent në histori ndaj demokracisë tonë. Besoj që mënyra më e mirë për të respektuar votuesit është t’u themi të vërtetën, të pranojmë fituesin”, u shpreh senatori republikan i Utah, Mitt Romney.

Zv/presidenti Pense hodhi poshtë kërkesën e shefit të tij për të mos nisur seancën e certifikimit të rezultatit, ndërsa anëtarët e Kongresit kundërshtuan parregullsitë e pretenduara në 6 shtetet federale. Trazira nuk pati vetëm në Washington, por edhe në disa kryeqendra të shteteve federale.

Tv Klan