Shkak largimi nga filmi pas problemeve me martesën

Johnny Depp nuk do të jetë më i tmerrshmi Grindelwald në sagën e filmave “Bishat fantastike” një vazhdim i “Harry Potter”.

Në fakt ishte kompania Warner Bros që vendoi ta largojë nga roli pasi aktori humbi gjyqin kundër tabloidit britanik “The Sun” që e kishte quajtur një “dhunues të grave”.

Shkak për këtë etiketim u bë padia e ish-bashkëshortes së tij, aktores Amber Heard që e akuzoi Depp se e kishte dhunuar të paktën 12 herë gjatë martesës së tyre të shkurtër.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, aktori 57-vjeçar tha se do të vazhdonte betejën ligjore me The Sun, por sipas këshilltarit të tij ligjor ai e kishte mbyllur tashmë karrierën me filmin në Hollywood.

Depp dhe Heard u martuan në një ceremoni private në shtëpinë e tyre në Los Anxhelos në Shkurt 2015, por në Maj të një viti më pas aktorja mori një urdhër ndalimi në gjykatë ku kërkoi divorcin duke akuzuar bashkëshortin për dhunë të vazhdueshme. Pak muaj më pas erdhi divorci dhe Depp pagoi 7 milionë Dollarë, por aktorja i dha të gjitha për bamirësi.

Beteja ligjore vijoi edhe më vonë, por Johnny Depp i ka humbur thuajse të gjitha paditë për shpifje. 

Tv Klan