Promovon serialin e prodhuar në Serbi “Puffins”

Aktori hollivudian, Johnny Depp, është takuar me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një vizite në Beograd. Pas takimit, Depp përshëndeti edhe fansat e tij të shumtë që po e prisnin jashtë presidencës serbe dhe firmosi autografe për ta.

Aktori amerikan ndodhej në Serbi për të promovuar një serial të animuar, “Puffins”, i cili është prodhuar në Serbi nga një kompani italiane, me mbështetjen edhe të Ministrisë serbe të Kulturës. Seriali i animuar me 168 episode tregon historinë e 4 zogjve të vegjël që ndeshen me një lopë deti. Episodet 5-minutëshe do të transmetohen në Amazon Prime Video.

Rikujtojmë se, aktori dhe producenti amerikan, Johnny Depp tërhoqi së fundmi Çmimin e Nderit “Donostia” në Festivalin e 69-të Ndërkombëtar të Filmit që këtë vit u zhvillua në San Sebastian të Spanjës. Depp u shfaq në publik për herë të parë që kur ka nisur përplasjen ligjore në gjykata, me ish-bashkëshorten, aktoren amerikane Amber Heard, e cila e akuzon për një sërë abuzimesh, përfshirë dhunën e përsëritur fizike, gjatë kohës kur ishin çift.

Klan News