Diskutohet mundësia e përdorimit të saj vetëm tek ata mbi 60-vjeç

Dërgesa e parë me vaksina të Johnson & Johnson kundër COVID-19 ka mbërritur në Itali në aeroportin ushtarak Pratica di Mare edhe pse agjencitë federale shëndetësore amerikane rekomanduan ndalimin e përdorimit të saj pas gjashtë rasteve të mpiksjes së gjakut.  

Këtë javë kompania J&J ka nisur që të shpërndajë dërgesat me vaksinën e saj edhe në shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, por kanë lindur debate nëse ajo duhet të përdoret tek qytetarët evropiane pas paralajmërimeve të agjencive shëndetësore të SHBA.

Agjencia italiane e ilaçeve po diskuton mundësinë e përdorimit të vaksinës J&J vetëm për njerëzit mbi moshën 60-vjeçare. Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza tha se kjo vaksinë është e rëndësishme për luftën kundër koronavirusit dhe do të duhet të përdoret.

Pezullimi i vaksinës së kësaj kompanie përbën kthim mbrapa në fushatën globale të vaksinimit, pasi kjo vaksinë pati rritur shpresat, meqë merret vetëm në një dozë dhe ruhet e transportohet lehtë. Pas ndalesës në SHBA, edhe Afrika Jugore dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se do të presin vendimin e autoriteteve amerikane, para se të marrin vendim për këtë vaksinë.

Anthony Fauci, këshilltari mjekësor i presidentit amerikan Joe Biden, ka përmendur faktin se gati 7 milionë persona kanë marrë vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, dhe se problemet e raportuara “janë më pak se një në një milionë. Ndalimi i dhënies së vaksinave të kësaj kompanie mund të ndikojë edhe në rënie të besimit për të gjitha vaksinat”, tha Fauci.

Klan News