COVAX marrëveshje me J&J për 500 milionë doza

Pas agjencive amerikane dhe europiane të barnave, vaksina kundër COVID-19 e prodhuar nga Johnson & Johnson është vulosur dhe ka marrë autorizim për t’u përdorur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kjo është vaksina e tretë që merr mbështetjen e OBSH-së, pas asaj të Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca-s. Ky miratim lejon që vaksina e vetme deri më tani me një dozë të përfshihet në portofolin e programit COVAX.

“Ne shpresojmë se kjo vaksinë e re do të ngushtojë hendekun e krijuar në shpërndarjen e vaksinave”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom.

COVAX, ka një marrëveshje me J&J për 500 milionë doza.

Ndërkohë OBSH-ja njoftoi se po shqyrton të gjitha informacionit në lidhje me vaksinën e AstraZeneca-s përdorimi i së cilës është pezulluar në disa vende pas vdekjes së personave që e kanë marrë atë. Deri më tani Danimarka, Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda dhe disa rajone të Spanjës e kanë pezulluar përdorimin pas dyshimeve se vaksina shkakton mpiksje të gjakut.

Italia dhe Austria kanë bllokuar disa koli të vaksinave. Pavarësisht këtyre, agjencitë e barnave thonë se deri më tani nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës dhe vdekjeve.

Ndërkohë në Brazil, pavarësisht problemeve në vende të tjera, agjencia e barnave Anvisae miratoi vaksinën e zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, por ajo do të prodhohet në vend nga instituti biomjekësor Fiocruz.

Vaksina e AstraZeneca-s është duke u përdorur që tani në Brazil, por është regjistruar vetëm për përdorim emergjent dhe dozat janë importuar nga India.

Klan News