Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson i tha këtë të shtunë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se ishte më i përkushtuar se kurrë për të forcuar Ukrainën.

Sipas asaj që shkruan BBC, në një telefonatë më herët gjatë ditës së sotme, Johnson tha se ai mbetet i përkushtuar për t’u siguruar që Putin të dështojë dhe se Britania do të vazhdojë ta furnizojë Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe humanitare.

“Presidenti Zelensky e informoi për luftimet e ashpra në Ukrainën lindore dhe rrethimin e vazhdueshëm të Mariupolit”, tha një zëdhënës i Downing Street.

“Liderët diskutuan gjithashtu përparimin e përpjekjeve të udhëhequra nga OKB për të evakuuar Mariupolin dhe shqetësimin për të plagosurit atje.”

Në një postim në Twitter për bisedën e tij me Johnson, Zelensky tha: “Folëm për situatën në fushëbetejë dhe në Mariupolin e bllokuar. Diskutuan mbështetjen mbrojtëse për Ukrainën dhe përpjekjet e nevojshme diplomatike për të arritur paqen.”

Në fillim të këtij muaji, Johnson u takua me Zelensky-n në Kiev dhe tha se Mbretëria e Bashkuar “qëndron në mënyrë të palëkundur” me Ukrainën./tvklan.al