“Fitorja e konservatorëve i jep fund debateve për Brex-it”

Pas fitores bindëse në zgjedhjet e parakohshme të së enjtes, Boris Johnson mori nga mbretëresha mandatin për formimin e qeverisë.

Duke folur para gazetarëve, kreu i konservatorëve tha se parlamenti i ri do të mblidhet të hënën, duke theksuar sërish se do ta çojë deri në fund procesin shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

“Do të kenë një mandat të jashtëzakonshëm për të përfunduar Brexit-in më 31 Janar. Diskutimeve për Brexit-in do t’i jepet fund një herë e përgjithmonë. Do të bashkëpunojmë me Bashkimin Europian si miq dhe sovranë të barabartë”, tha Johnson.

Konservatorët do të kenë 365 deputetë, 38 më shumë se numri i nevojshëm për formimin e qeverisë. Kjo u jep mundësinë të miratojnë marrëveshjen e re me Brukselin pa u kushtëzuar nga partitë e tjera parlamentare.

Kjo konsiderohet si fitorja më e madhe e konservatorëve që nga koha e Margaret Theçerit. Ndërsa për laburistët, të cilët bëhet fjalë për disfatën më të rëndë në 84 vite. Ata do të kenë 59 deputetë më pak se legjislatura e kaluar. I konsideruar nga partia e tij si përgjegjësi kryesor për humbjen, lideri i laburistëve Jeremy Corbyn shpalli dorëheqjen.

“Unë nuk do ta drejtoj partinë në fushatat e ardhshme zgjedhore. Duhet të nisim një proces reflektimi për këtë rezultat dhe për politikat që partia do të ndërmarrë për të ecur përpara”, tha ai.

I pari që uroi Johnson për fitoren ishte presidenti amerikan Donald Trump, i cili në Twitter shkroi që mezi priste përfundimin e procesit të Brexit-it dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare me Britaninë e Madhe. Përgëzime edhe nga presidenti i Këshillit Europian Chales Michel si dhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Tv Klan