Corbyn: Jam i dëshpëruar për humbjen

Entuziazëm tek konservatorët dhe ndjenja faji tek liderët laburistë. Kjo është situata e pas zgjedhjeve të 12 Dhjetorit në Britaninë e Madhe. Boris Johnson ka nisur turin e falenderimeve për ata që i besuan programit të tij për ta përfunduar BREXIT-in.

Ndërsa tek laburistët janë shtuar zërat që bëjnë përgjegjës liderin e tyre Jeremy Corbyn për këtë humbje. Pa dhënë një afat të caktuar, vetë Corbyn tha se do të dorëhiqej shumë shpejt, ndërsa duke folur për mediat, ai mori përsipër përgjegjësinë për këtë humbje.

“Jam qartësisht i dëshpëruar për humbjen, për ata kolegë që humbën vendet në parlament, por edhe për ata njerëz që do të kenë një qeveri që do të vazhdojë politikat e kursimit, prej të cilave do të vuajnë veçanërisht shtresat e varfra”, tha Corbyn.

Ashtu bëri edhe deputeti laburist John McDonnell, i konsideruar si ministri në hije i Financave, një ndër ideatorët e programit ekonomik të laburistëve.

“Më lejoni ta them qartë, faji është i imi. Le ta pranojmë këtë katastrofë dhe unë kërkoj falje, sidomos për ata njerëz që dëshpërimisht kërkonin një qeveri laburiste”, tha ai.

Të hënën mblidhet seanca e parë e legjislaturës së re në dhomën e ulët të parlamentit britanik, ku Boris Johnson pritet të shpalosë edhe qeverinë e re.

Tv Klan