Boris Johnson e dëgjoi këshillën e Donald Trump dhe po përdor strategjinë e tij për të tërhequr vëmendjen e anëtarësisë së konservatorëve në garën për liderin e tyre.

Në një intervistë për Sunday Times, ai tha se nëse merr postin e kryeministrit nuk do t’a paguajë gjobën prej 44 miliardë Eurosh ndaj Brukselit, nëse Britania shkëputet pa marrëveshje nga Bashkimi Europian.

“Miqtë dhe partnerët tanë duhet të kuptojnë se paratë nuk do të paguhen deri kur ne të kemi një qartësi më të madhe për mënyrën se si do të ecim përpara. Për një marrëveshje të mirë, paraja është tretësi dhe lubrifikuesi më i mirë”.

Po ashtu, Johnson e konsideron veten si alternativën më të mirë për të udhëhequr Britaninë në këtë periudhë të vështirë, kur përballë ka kandidatë të dy ekstremeve të kundërta sipas tij, Jeremy Corbyn e laburistëve dhe Nigel Farage e partisë së Brexitit.

Theresa May u dorëhoq të premten si lidere e konservatorëve, ndërsa të hënën do të përcaktohen edhe kandidatët që do marrin pjesë në garën për pasuesin e saj. Deri më tani janë 11 pretendentë për të marrë pjesë në garë.

Tv Klan