Programi “Jo Vetëm Modë”, në Tv Klan solli intervistën me stilin e njohur Joni Peçi. Ai tregoi mjaft detaje interesante dhe të pathëna më parë për jetën e tij private dhe atë profesionale.

Stilisti tregoi se është nisur në drejtim të Italisë me gomone dhe pikërisht aty ka nisur edhe rrugëtimi i tij për modën. Me ndihmën e murgeshave domenikane në Bologna sistemohet aty, më pas nis edhe shkollën e modës në Milano. Ndërkohë që shkonte në shkollë, stilisti edhe punonte në një restorant.

Joni Peçi: Shkova dhe u nisa në Itali me kursimet e mia. Fillimisht kam shkuar me gomone, ka qenë Nëntor. Frika nuk ishte aq e madhe, se sa dëshira për të parë ato dritat e ndezura në bregun tjetër të detit. Kisha vetëm një çantë shpine me dy veshje, që dhe ato u lagën në momentin kur na hedhin, para se të mbërrinim mirë në breg. Më pas shkoj dhe i drejtohem direkt disa miqve të mi, ku ishin murgeshat domenikane në Bologna, ato më ndihmojnë që më sistemojnë. Vendos që të futem dhe të vazhdoj shkollën e Modës në Itali, në Milano dhe aty filloj pastaj komplet jeta në një sferë tjetër. Ndërkohë që shkoja në shkollë më duhet të punoja dhe njëkohësisht dhe natën në një restorant, pasi familja që e kishte këtë restorantin u afeksionua shumë me mua dhe më ndihmuan. Unë kam punuar për një brand internacional që është “Arman”i në këtë rast, por jo vetëm, por edhe për shumë emra të tjerë në backstage sfilatash, në forma të ndryshme. Kthimi im në Shqipëri ka qenë krejtësisht rastësor. Duke ardhur njëherë për një punë, dilnin punë të tjera. Duke kaluar, kohë momente, ditë, javë, muaj, vite gradualisht do të thotë që ndërkohë ke investuar dhe ke ndërtuar një gjë. Sepse është shumë e lehtë ta mendosh që të shkosh dhe të ndërtosh gjëra jashtë, por kush do ta ndërtojë këtë vend./tvklan.al