Kryediplomati europian thotë se Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrell ka folur para gazetarëve për një sërë çështjesh të rëndësishme të cilat shqetësojnë bllokun. Kryediplomati i BE-së  foli për tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë dhe tha se integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës mbetet  mbi çdo gjë.

“Dua të theksoj se për BE-në integriteti territorial dhe sovraniteti është mbi çdo gjë. Dhe ne do të qëndrojmë me vendosmëri përballë çdo përpjekjeje për të minuar integritetin dhe sovranitetin e saj territorial”.

Borell bëri të ditur se cdo agresion kundër Kievit do të marrë përgjigjen që meriton.

“Duhet bërë gjithçka për ta bërë të qartë se çdo agresion kundër Ukrainës do të ketë një përgjigje të fortë”.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin e tij në lidhje me “unitetin e Bosnjë-Hercegovinës si një vend i vetëm“, ​​pasi Milorad Dodik, përfaqësuesi serb në presidencë, javët e fundit ka nisur procesin e tërheqjes nga institucionet e nivelit shtetëror dhe po kërcënon shkëputjen e plotë nga Republika Srpska.

“Stabiliteti i rajonit është  shumë i rëndësishëm për ne. Nga ky këndvështrim, më lejoni të shpreh shqetësimet e mia për situatën në Bosnje-Hercegovinë, ku në ditët e fundit kemi parë tensione dhe disa përpjekje për të zhbërë 26 vite paqeje dhe stabiliteti. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj unitetit të Bosnje-Hercegovinës si një vend i vetëm. Dhe i bëjmë thirrje të gjithëve që të bëjnë reformat e nevojshme për të ruajtur këtë unitet dhe për të reformuar ligjin zgjedhor”.

Krydiplomati europian foli edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ku nënvizoi se palët duhet t’i kthehen dialogut si e vetmja mënyrë për t’i dhënë zgjidhje problemit.

Klan News