E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë Jozefina Topalli një nga figurat femërore më të spikatura në politikën dhe në parlamentarizmin shqiptar. Me rrënjë të sigurta nga një familje intelektualësh në Shkodër, ajo prej shumë vitesh ka qenë e angazhuar në politikën shqiptare, me poste të rëndësishme politike, e cila deri para pak kohësh u distancua pak nga arena politike e vendit, për t’u rikthyer me një lëvizje të re politike.

Gjatë intervistës me moderatoren Mirela Milori Jozefina ka treguar këshillat që nëna e saj i jepte kur e shihte në parlament dhe historinë e prindërve të saj. Ajo ka treguar se prindërit kanë një diferencë prej 20 vitesh bashkë dhe kur babai i saj doli në pension ishte shumë e vogël.

Jozefina Topalli: Ka punuar shumë gjithë jetën, ka një histori shumë të veçantë me babain tim. Në një farë mënyre për shkak të kësaj ka qenë kolona e shtëpisë, ajo ka punuar për të na mbajtur ne, për të na inkurajuar që të mësonim, ka qenë shumë strikte, por në të njëjtën kohë nuk e kam dëgjuar kurrë të çojë zërin, asnjëherë në jetën time. Do të të them një sekret, kur isha në parlament, dy fraza më thoshte, “kam frikë moj bijë se mos të të bëjnë gjë” dhe pastaj thoshte “mos shaj të lutem, mos i thuaj gjë atyre”. Kështu që është një brez shumë interesant, kanë pasur një edukatë shumë të thellë. Ka një diferencë shumë të madhe në moshë me babin.

Mirela Milori: Më the që ka një histori të veçantë me babain tuaj, cila është?

Jozefina Topalli: Kanë pasur 20 vite diferencë në moshë, kur unë kam lindur dhe kam qenë e dyta në familjen tonë, babai ka qenë 54 vjeç. Babai ka lindur në Shkodër dhe shumë herët kanë shkuar dhe jetuar në Tiranë, kanë pasur një vilë sepse babai i tij ka qenë në funksione të rëndësishme. Pastaj ka shkuar së bashku me vëllezërit dhe hallat e mia të gjithë në Itali dhe kur është kthyer ka filluar punë në Bankën e Shtetit. Në 45-ën pastaj, dy xhaxhallarët e mi edhe pse ishin shumë të ri morën dënimin me pushkatim dhe babain e dënuan nga Tirana.

Pavarësisht se ishte ekonomist dhe një nga njerëzit më me integritet, u kthye në Shkodër dhe e çuan të punonte në hamall, të mbante sapunët, nuk e di se çfarë punë bëhej. Arrkat e sapunit, t’i ngarkonte, t’i shkarkonte etj. Ai nuk pranoi të martohej sepse me rrogën që kishte, donte të ndihmonte vëllezërit e tij që pastaj u dënuan burgim të përjetshëm dhe bënë nga 25 vite burg. Deri në një moment që thanë po ne u shuam si familje dhe kështu që është martuar vonë, ka pasur diferencë me nënën dhe unë kam qenë shumë e vogël kur ka dalë në pension, pastaj pësoi një paralizë, kështu që ishte nëna që i jepte kurajo, forcë. /tvklan.al