Jude Bellingham ka përjetuar emocionet e para me fanellën e Real Madrid. Talenti anglez është prezantuar si blerja e re e gjigantit spanjoll, teksa për herë të parë u zbulua edhe numri që do të mbajë në shpinë gjatë 6-viteve të ardhshme në “Santiago Bernabeu”. Bellingham ka zgjedhur 5, numrin ikonë në klubin Mbretëror, pasi më parë e ka veshur një legjendë si Zinedine Zidane.

“Përshëndetje populli madrilen. Doja të falenderoja të gjithë ata që janë këtu në ditën më të rëndësishme të jetës sime, në ditën e parë në klubin më të madh në botë. Dua të falenderoj të gjithë që më sollën këtu. Do të përpiqemi t’ju bëjmë të lumtur dhe të realizojmë ëndrrat tuaja. Do të shihni që me këtë bluzë asgjë nuk është e pamundur. Hala Madrid!


Kalimi i Jude Bellingham në Spanjë i ka kushtuar arkave të Real Madrid 103 milionë euro. Në klauzolën e vendosur me Borussia Dortmund kësaj shifre do t’i shtohen edhe 30 milionë euro të tjera në formë bonusi, në lidhje me titujt dhe paraqitjet e 19-vjeçarit në fushën e lojës. Nga kjo kontratë, britaniku do të fitojë mes 10 e 12 milionë euro në sezon. Për të arritur tek shërbimet e tij, Real Madrid kishte një garë të fortë kryesisht me klubet angleze. Tashmë ai do të vihet në dispozicion të Carlo Ancelottit, për të formuar një mesfushë të frikshme dhe me plot talent, ku do duelojë për fanellë titullari më të rinjtë Camavinga, Tchouameni dhe Federico Valverde.

Klan News