Banorët shpresojnë te kthimi i kosovarëve

Jugu i Serbisë në kufi me Kosovën në drejtim të Prishtinës. Këtyre anëve kalojnë mijëra kosovarë nga diaspora për të shkuar në shtëpi. Por, tani janë të paktë për shkak të pandemisë.

Ky fshat kufitar ka ngelur me dhjetëra banorë. Dikur një vend turistik me ujëra termale, por mbyllja me Kosovën ka mbyllur edhe këtë qendër me burime që nga koha romake. Aty duken vetëm gjurmët e turizmit. 

Milica Saviç është pensioniste. Ka vendosur si shumë të moshuar të rrijë në këtë fshat, ndonëse nuk ka asnjë fqinj. Marrëveshja me Kosovën i ka lumturuar disa që shpresojnë kthimin e shqiptarëve e bashkë me ta edhe jetën në fshat.

“Dikur shqiptarët këtu kanë qenë mysafirët e parë. Ne jemi afër këtu pasi 7 kilometra larg është kufiri apo siç i thonë linja administrative. Ne shpresojmë sërish pasi duhet të jetojmë të gjithë mirë”.

Dyqanin më të afërt e kanë 11 kilometra larg. Të rinjtë këtu kanë ikur prej vitesh, një pjesë jashtë e tjetra në qytetet më të mëdha. Sllobodani është një nga banorët e ngelur.

Djali i tij Sllavisha kthehet ndonjëherë për të parë hallet e babait. Slloba thotë se i beson Presidentit Vuçiç. Është koha për ripajtim dhe mbase kthehen edhe të rinjtë.

“Të rinjtë e shqiptarëve nuk janë kundër nesh, as ne kundër atyre. Por, është politika. Gjithmonë ka qenë kështu”.  

Rruga dhe hekurudha janë të rëndësishme për këtë pjesë pasi do të kthehen njerëzit se flitet edhe për zonë industriale.  

Banorët thonë se kjo ua kthen shpresën. Nëse zgjat edhe pak gjendja e tanishme, thonë se këtu nuk do të ngelet askush.  

Tv Klan