Juri e larmishme në gjyqin për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd


Juri e larmishme në gjyqin për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd

22:34 27/03/2021

Një juri e larmishme racore në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara do të vendos për fatin e një ish-polici në gjyqin për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd që fillon të hënën.

Pamjet filmike të incidentit tregojnë ish-oficerin e policisë Derek Chauvin duke mbajtur gjurin në qafën e afrikano-amerikanit Floyd për gati tetë minuta. Ngjarja shkaktoi protesta në të gjithë botën dhe gjyqi pritet të ndiqet me vëmendje.

Anëtarët e jurisë do të vendosin mbi fajësinë ose pafajësinë e policit Derek Chauvin lidhur me akuzat për vrasje.

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në maj të vitit të kaluar shkaktoi protesta të mëdha në shumë qytete amerikane dhe qindra qytete në vende të ndryshme të botës.

“Ne e pamë se si ai vdiq. Njerëzit panë në video, të transmetuar në mediat sociale, një njeri që po vdiste dhe kjo tërhoqi vëmendjen e botës në lidhje me dhunën policore ndaj afrikano-amerikanëve”, thotë Andra Gillespie nga Universiteti Emory.

Gjyqi ka të bëjë me vdekjen e një njeriu dhe fajësinë ose pafajësinë e një tjetri. Por, një analist tjetër thotë se ai ngre pyetje më thelbësore.

“Sa demokraci ka në këtë vend? Si vlerësohen afrikano-amerikanët? Dhe një pyetje më thelbësore është se a është e rëndësishme jeta e afrikano-amerikanëve?”, thotë Steve Phillips, drejtues i emisionit Demokracia me Ngjyra.

Ai thotë se shumë shpesh policia keqtrajton afrikano-amerikanët, pa u ndëshkuar.

Mbrojtja shpreson të argumentojë se përdorimi i drogës nga George Floyd kontribuoi në vdekjen e tij.

Por gjyqi pritet të theksojë rastet e afrikano-amerikanëve të tjerë që kanë vdekur në duart e policisë, thotë Andra Gillespie, studiuese e çështjeve racore dhe mobilizimit politik.

“Kjo nënvizon protestat në rritje që nga viti 2014, të nxitura nga vdekjet e afrikano-amerikanëve Michael Brown dhe Eric Garner, që janë një thirrje për të tërhequr vëmendjen tek ndikimi i thellë psikologjik i këtyre incidenteve“, thotë ajo.

Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison e ka një qëndrim të fortë për këtë çështje dhe po punon që drejtësia të triumfojë. Phillips thotë se politikanët duhet të trajtojnë çështjet e pabarazisë dhe veprimet e policisë që janë thelbësore në këtë rast.

“Pavarësisht nga rezultati përfundimtar i kësaj çështje, miratimi nga udhëheqja politike i reformave të mirëfillta politike do të ketë një rëndësi të madhe”, thotë zoti Phillips.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarët e qytetit të Mineapolisit miratuan një dëmshpërblimi prej 27 milionë dollarësh për familjen e afrikano-amerikanit George Floyd, pas një padie civile të ngritur nga familja e tij kundër qytetit.

Tani çështja do të trajtohet nga një gjykatë penale, ndërsa një qytet dhe një vend i tensionuar pret vendimin e gjyqit që pritet të zgjasë dy deri në katër javë.  /VOA







Të ngjashme