Kryeministri kanadez Justin Trudeau është takuar me Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, në Mar-a-Lago në Florida disa ditë pasi ky i fundit tha se do të vendoste një tarifë prej 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika.

Të dy biseduan me telefon në fillim të javës pasi Trump njoftoi se me marrjen e detyrës në Janar, ai do të vendoste një tarifë të përgjithshme për të gjitha produktet që hyjnë në SHBA nga Meksika dhe Kanadaja. 

Mbi ¾ e eksporteve kanadeze, me vlerë 423 miliardë Dollarë shkuan në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar dhe rreth 2 milionë vende pune varen nga tregtia.

Ekonomistët thonë se vendosja e tarifave të larta do të dëmtonte ekonomitë e të gjitha vendeve të përfshira.

Vizita e Trudeau në Florida është lëvizja e fundit e Kanadasë, pasi ajo kërkon të shmangë tarifat e rënda, të cilat mund të kenë ndikime të gjera ekonomike.

Mbetet e paqartë nëse administrata e ardhshme Trump do të ecë përpara me tarifat e paralajmëruara, pasi analistët vërejnë se presidenti i zgjedhur njihet edhe në të kaluarën për deklarata te tilla si një taktikë negociuese për të arritur qëllimet e tij.

Klan News