Pas 16 vitesh nga takimi i parë ku Juventusi u përball me Barcelonën, të dyja klubet e njohura do të ndeshen në edicionin 2021 të trofeut “Gamper”. Blaugranat do të presin në stadiumin “Kamp Nou” bardhezinjtë më datën 8 gusht.

Hera e fundit që një skuadër italiane kishte marrë pjesë në trofeun “Gamper” ishte në vitin 2016, kur me katalanasit u përball Sampdoria.  Më 24 gusht të vitit 2005, bardhezinjtë e fituan këtë trofe duke mundur me penallti Barçën në sfidën e parë mes të dyja klubeve.

Për shumë tifozë, kjo përballje pritet me padurim, sepse kundër do të jenë dy rivalët e përjetshëm, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi. Por nuk është çudi që dy nga futbollistët më të mirë të botës të mos jenë në fushë.

Kristiano Ronaldo ka edhe një vit kontratë me “Zonjën e Vjetër” dhe ende nuk ka vendosur nëse do të rrijë apo largohet.

Ndërsa Lionel Mesi ka arritur paraprakisht akordin për të firmosur kontratë të re me katalanasit. Por si fillim klubi duhet që të largojë disa futbollistë që të ulë shpenzimet për rrogat, e të lejohet të firmosë me yllin argjentinas.

Gjithçka do të vendoset në ditët në vazhdim. Barça-Juve do të luhet, por Mesi-Kristiano Ronaldo është në dyshim.

Klan News