Juventus nuk do të ndalet deri sa të sigurojë matematikisht titullin e këtij sezoni. Ndaj Cagliari, torinezët fituan 2-0 me një formacion me shumë mungesa. Bonucci zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë të takimit ndërsa në të dytën shënoi Moise Kean, i cili gjatë gjithë ndeshjes vuajti thirrjet rraciste të tifozërisë vendase.

Futbollisti i Kombëtares Italiane festoi duke iu drejtuar ultrasve vendas dhe kjo i irritoi më shumë shikuesit në shkallët e stadiumit. Me këtë fitore, Juventusi çoi përkohësisht në 18 pikë distancën nga Napoli ndjekës.

Milan nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Udinese. Në “San Siro” kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh me Piatek. Por në minutën e ’65 një kundërsulm i shpejtë i Udines solli barazimin. Në minutat e fundit Milan kishte disa raste por futbollistët nuk ishin të aftë të gjenin golin e fitores.

Sfidë me shumë gola ishte ajo mes Villareal dhe Barcelona që përfundoi në barazim 4-4. Katalanasit shënuan dy gola të shpejtë me Coutinho dhe Malcom, në minutat 12′ dhe 16′. U duk se do të dominonin të gjithë lojën, por takimi u rihap kur Chukwueze shënoi në minutën e ’23. Në pjesën e dytë të zotët e shtëpisë kaluan në avantazh me Iborra pas barazimit të Ekambi. Dhjetë minuta nga fundi, Carlos Bacca shënoi golin e katërt për Villarealin. Fatin e Barcelonës e morën në dorë Messi dhe Suarez që shënuan nga një gol secili duke arritur barazimin.

Tv Klan