Sipas mediave italiane trajneri Sarri është shkarkuar

Juventus dhe Real Madrid u larguan nga Champions League dhe në turin çerekfinal kaluan Lyon dhe Manchester City që do të përballen sëbashku. Kjo ka sjellë edhe shkarkimin e Maurizio Sarri sipas mediave italiane.

Vendimi nga drejtuesit është marrë dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Cristiano Ronaldo nuk i mjaftoi Juve që e fitoi përballjen me rezultatin 2 – 1, por goli i francezëve ndikoi pasi ndeshjen e parë e kishin mbyllur me suksesin 1 – 0.

Depay realizoi për miqtë me 11-metërsh që në minutat e para. Ronaldo e barazoi po me penallti rezultatin para se ekipet të shkonin të pushonin mes dy pjesëve.

Në të dytën portugezi shënoi sërish, por duke sjellë vetëm fitoren e takimit dhe jo kualifikimin. Manchester City triumfoi po me rezultatin 2 – 1 në sfidën e kthimit me Real Madrid në Angli.

Sterling kaloi në avantazh City, por Benzema barazoi rezultatin në pjesën e parë. Gabriel Jesus realizoi për vendasit në të dytën, duke vendosur suksesin e Manchester City. Sot do të zhvillohen ndeshjet Barcelona – Napoli dhe Bayern Munchen – Chelsea për të përcaktuar takimin e fundit çerekfinal.

Tv Klan